Tovërlani: Oferta e Gjilanit e mirë, por shëndeti i djalit tim mbetet primar

Gjilani në këtë edicion u rikthye në elitën e futbollit kosovar. Ky ekip synoi trajnerin e madh kosovar, Afrim Tovërlani, të cilit i ofruan një kontratë shumë të mirë.

Megjithatë, ‘timonieri’ nga Prishtina, i cili është trajneri më i mirë kosovar në vitet e pasluftës, është detyruar t’i thotë ‘jo’ kësaj oferte.

“Kam patur biseda dhe kam qenë shumë i kënaqur me kushtet e ofruara dhe projektin e Gjilanit. Megjithatë, djalin nuk e kam mirë me shëndet dhe më duhet që në këtë kohë, t’i qëndrojë sa më afër. Shëndeti i tij është primar. E falënderojë Gjilanin për besimin e treguar”, ka thënë Afrim Tovërlani, në një prononcim për Gazetaolle.com.

Djali i Afrim Tovërlanit, Arti është futbollist i Prishtinës (juniorët). Stafi i Gazetaolle.com, i dëshiron shërim sa më të shpejt dhe rikthim në fushën e gjelbër, në ndjekje të ëndrrave të tij.