Tovërlani: Nuk shkatërrohet bota nëse nuk bëhemi kampion

‘Timonieri’ nga Prishtina, Afrim Tovërlani, e ka nisur aventurën e tij te Feronikeli. Ish-trajneri i Prishtinës, Trepçës ’89 dhe klubn që tashmë nuk ekziston, Hysi rrëfehet në një intervistë për Gazetaolle.com.

Trajneri i cili ka fituar gjithçka në futbollin e Kosovës, ndër të tjera thotë se edhe nëse nuk del kampion, nuk do të shkatërrohet bota. Flet për ish-trajnerin, Gani Sejdiu, largimet dhe përforcimet.

Le ta nisim me pyetjen e pashmangshme, cilat janë synimet e Feronikelit nën drejtimin e Afrim Tovërlanit?

Tovërlani: Synimet janë për ta mbrojtur titullin e kampionit. Mirëpo, e kam thënë edhe më herët se vetëm vdekja është e garantuar. Përndryshe, do të bëj çmos, me sinqeritetin më të madh në mënyrë që ta arrijmë qëllimin për titull.

Çka ju bëri përshtypje në stërvitjen e parë me ekipin?

Tovërlani: Jam pritur shumë mirë. Më pëlqeu qetësia e lojtarëve gjatë ushtrimeve. Një gjë duhet ta dinë të gjithë që nuk kam shkuar të shes mend në Drenas, por të punoj shumë dhe ta kryejë punën për të cilën më ka angazhuar kryesia.

Feronikeli e ka një skuadër që për shumë njerëz, konsiderohet më e forta në Kosovë. Janë eliminuar nga ‘Digitalb Kupa’ dhe synimi i vetëm mbetet titulli. Sigurisht se nëse nuk arrihet titulli, edicioni konsiderohet i dështuar. A jeni paksa në presion?

Tovërlani: Jo nuk jam në presion. Edhe nëse nuk bëhet Feronikeli kampion, nuk shkatërrohet bota. I kemi të gjitha parakushtet, ekipi i mirë, kryesi e mirë, infrastrukturë e mirë. Krejt çka na mbetet është që në fushë të flasim më shumë, e jo në media.

Në skuadër po e zëvendësoni Gani Sjediun, sigurisht se jeni interesuar se pse ai ka dhënë dorëheqje?

Tovërlani: Jo nuk jam interesuar. Është çështje e Ganiut dhe kryesisë. Nuk kam çka të them. Ai e ka lënë në një pozitë të mirë klubin dhe ka patur suksese. Feronikeli duhet të jetë falënderues për punën e tij.

Gani Sejdiu në deklaratën e tij kur është larguar, ka thënë se duhet që dikush tjetër t’i motivojë lojtarët për t’i arritur objektivat e klubit. Ju si do t’i motivoni?

Tovërlani: Unë nuk bëj ‘hop pa e kapërcyer lumin’.

Nga klubi u largua edhe portieri Granit Kolshi. A priten largime të tjera?

Tovërlani: Të gjithë ata që janë të nevojshëm, do të qëndrojnë në ekip.

A do të transferoni ndonjë portier, ka mbetur Flamur Neziri me shumë përvojë. Atë e njihni pasi keni punuar së bashku edhe te Prishtina?

Tovërlani: Janë dy juniorë shumë të talentuar, por do të shohim në ditët në vijim.

Po për përforcime, flitet se jeni të interesuar për Kastriot Rexhën dhe Besnik Krasniqin, a është e vërtet?

Tovlërlani: Nuk e kam kontaktuar askënd. Në janar lojtarët janë me kontrata. Është e pamundur që t’a marrëm dikujt një futbollist të mirë në janar. Unë nuk i kontaktoj lojtarët, i kontaktojnë personat përgjegjës. Unë mund të propozoj.

Dihet se jeni ekspert për ta shpallur Prishtinën kampione, i keni tre tituj, iu mungon një titull me ekipet e tjera?

Tovërlani: E kam një në Ligën e Parë me Trepçën ’89. Sivjet do ta fitojë me Feronikelin.

Kur jemi te Trepça ’89, vitin e kaluar ishit në Mitrovicë, por nuk e arritët titullin…

Tovërlani: Në Trepçë ’89 kam shkuar tre ose katër xhiro pasi kanë kaluar në pranverë. Distanca ka qenë nëntë pikë me liderin. Edhe kanë qenë në pyetje 12-13 lojë. Tash e tutje, nëse nuk e marr një ekip në fillim ose në mes të sezonës, nuk po betohem, por nuk besoj që do të marrë ekipe që e kanë nisur kampionatin. Secili i kemi principet tona. Nuk do të marrë skuadër nëse nuk e përgatiti vet fizikisht.