Shqipëria ndodhet në vendin e dytë në grupin I me 15 pikë, aktualisht në vendin që dërgon në “Play Off” për ‘Katar 2022’, por që të ëndërrojë një kualifikim të mundshëm duhet të fitojë nesër ndaj Polonisë, që ka 14 pikë në vendin e tretë.
Trajneri i njohur kosovar, Afrim Toverlani beson se Shqipërinë e pret një ndeshje e vështirë – por thekson se kombëtarja e Edy Rejës ka potencial për fitore ndaj Polonisë.
“Ndeshje shumë e vështirë dhe e zjarrtë për Shqipërinë. Përvoja në anën e polakëve – kurse entuziazmi në anën tonë. Besoj që kjo Shqipëri ka potencial për ta mposhtur apo së paku të barazojë dhe të ëndërroj për kualifikim”, tha fillimisht Afrim Tovlerani për ‘GazetaBlic Sport’.
‘Toki’ beson se Shqipëria duhet të besojë në kualifikim, teksa shton se në dy vitet e ardhshme, kuqezinjtë do të jenë shumë të fortë edhe për përfaqësueset më të mira në Evropë.
“Realisht janë edhe tri ndeshje dhe deri sa ka gjasa duhet të luftohet dhe shpresohet. Une mendoj që kjo Shqipëri me potencialin që tani ka, në dy vitet e ardhshme do të jetë shumë e fortë edhe për perfaqësueset më të mira evropiane”, përfundoi ‘Toki’.
Vlen të theksohet se 22 mijë bileta janë shitur për ballafaqimin Shqipëri-Poloni dhe stadiumi “Air Albania” do të jetë i stërmbushur.