Tovërlani: Ja pse e zgjodha Trepçën ’89

Gjithmonë ‘lufton’ për titullin e kampionit. Nuk dorëzohet kurrë. I jep hijeshi futbollit me deklaratat e tij bombastike. Sukseset nuk i mungojnë.

Fjala është për trajnerin Afrim Tovërlani, i cili të hënën arriti marrëveshje me skuadrën mitrovicase Trepça ’89. Strategu nga Prishtina edhe para katër vitesh e ka drejtuar ekipin me shumë sukses ekipin buzë lumit Ibër, duke e nxjerrë nga ‘lloçi’ i Ligës së Parë për në elitë. Ish-trajneri i Prishtinës, e Hysit rrëfehet në një intervistë për Gazetën ‘Olle’.

Olle: Po riktheheni pas katër vjetësh te Trepça ’89, si po ndjeheni?

Tovërlani: Po ndjehem shumë mirë. Edhe kur kam qenë herën e kaluar në këtë klub, kam kaluar mirë. Por, edhe kur kam shkuar me skuadrat tjera kam kaluar shumë mirë, dhe jam mirëpritur nga kryesia e ’89-shit. 

Olle: Të flasim pak për marrëveshjen…

Tovërlani: Fillimisht kemi arritur marrëveshje deri në qershor e mandej, me mundësi do ta vazhdojmë edhe për vitin tjetër. Dihet që dy ekipe në vitin 2016, do të marrin pjesë në garat evropiane, po mendojmë për Evropë tashmë.

Olle: Të rikthehemi te synimet në këtë edicion. Cilat janë ato?

Tovërlani: Po mos të kisha besuar se ende jemi në ‘luftë’ për titull dhe Kupë, nuk do të kisha shkuar në Mitrovicë. Nëse nuk shpallemi kampion, do të jemi ndikues të fortë për titull. 

Olle: Aktualisht jeni nëntë pikë larg liderit, a nuk janë pak?

Tovërlani: Janë edhe 14 ndeshje. 42 pikë nuk janë të pa arritshme. Nuk kisha pranuar që të shkoj po mos të kisha besuar. 

Olle: Ndonjë porosi për skuadrat tjera?

Tovërlani: Për ekipet e tjera kam një porosi. ’89-shi nuk ka me qenë ashtu si ka qenë. Do të ndryshojë shumë.

Olle: Çka do të thotë kjo, ’89-shi nuk ka me qenë ashtu si ka qenë?

Tovërlani: Do të ‘luftojmë’ që ta shënojmë një gol, dhe mos të pranojmë gol. 

Olle: Derisa po bisedojmë, po më sillet nëpër kokë incidenti i vitit të kaluar kur tifozët  mitrovicas ‘Torcida’, i’u goditët me shishe sa ishit te Prishtina. Keni ndonjë koment?

Tovërlani: Ajo ka qenë në ndeshje me Trepçën. Ajo çka ka ndodh, nuk kam nevojë që ta fshehë. Kam thënë edhe më herët se jam goditur nga disa individë të papërgjegjshëm.