Tovërlani: E dominuam fundin, i lumtur me karakterin e skuadrës

Trajneri i Trepçës ’89, Afrim Tovërlani, e ka vlerësuar në maksimum paraqitjen e skuadrës së tij në minutat e fundit të takimit në duelin ndaj Besës, falë të cilave beson që minatorët do të kualifikohen pas ndeshjes së kthimit.

“Mbrojtja nuk ishte në nivelin e duhur sot, sidomos dy mbrojtësit që duhej t’i ruanin Rexhën e Karahodën. Megjithatë, në pjesën e dytë i dhamë lojës energji të re dhe e dominuam atë, falë edhe zëvendësimeve që i bëmë. Gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, por ajo që më gëzon është karakteri i futbollistëve, të cilët nuk u ndalën kurrë edhe pse ishim duke humbur 3:0”, tha Tovërlani për “Supersport Kosova”.

Ndeshja në “Shahin Haxhiislami” u mbyll 3:2, derisa golat për mitrovicasit i shënuan Ibrahim Peci dhe Blerand Kurtishaj. /Gazeta Olle