Tovërlani dhe Statovci tregojnë nëse Challandes duhet të shkarkohet

Kohëve të fundit ka shumë spekulime që e ardhmja e trajnerit Bernard Challandes do vuloset pas ndeshjes me Spanjën.

Pas një arritje të madhe në Ligën e Kombeve, Kosova vitin e kaluar mori rezultate të shumta negative, derisa më e rënda ishte humbja nga Maqedonia e Veriut që eliminoi “Dardanët” nga Kampionati Evropian.

Së fundmi, Kosova u mposht nga Suedia, derisa nesër do përballet me kampionin e Botës, Spanjën.

Tekniku zviceran kohëve të fundit ka pasur shumë kritika, për sistemin e lojës që janë duke zhvilluar lojtarët tanë si dhe disa mos ftesa të lojtarëve, siç janë Zymer Bytyqi, Mirlind Daku dhe disa të tjerë.

Nëse do ishte vendimi i duhur për shkarkimin e Challandes, lajmi.net, ka kontaktuar dy analistët e njohur, Afrim Tovërlanin dhe Faruk Statovcin.

Ish trajneri i disa klubeve elitare, njëkohësisht më i trofeshmi në Kosovës, Tovërlani tha se vendimi do t’i takojë FFK-së që të analizojë situatën e Challandes.

“Përgjegjës për vendimin mbi Challandes duhet ta marrë vetë Federata. Eliminatorët e fundit sidomos ndeshja me Maqedoninë, kjo me Suedinë jo të mirë për ne, me rezultate të dobëta. Unë jam mirënjohës për Ligën e Kombeve sepse ka bërë një ngritje Challandes, mirëpo ndoshta ky është maksimumi i tij dhe duhet analizohet dhe vlerësohet mirë nëse duhet të qëndrojë apo të shkojë”.

“Në rast që vërtetë njerëzit e Federatës nuk e analizojnë, atëherë do këtë presion publik”.

Tekniku prishtinas gjithashtu zbuloi se çfarë trajneri do t’i duhet Kosovës, në rast që vërtetë Challandes shkarkohet.

“Na duhet një selektor që na njeh deri diku edhe mentalitetin edhe që e njeh ekipin e Kosovës, që e ka përcjellë ndonjëherë. Nuk kemi mundësi për trajnerë ku me di sa të shtrenjtë, por një trajner i cili mund të bëjë shumë më mirë sepse për ndryshe mendoj që potencial solid ka përfaqësuesja, por mund të bëjë më mirë. S’kam asgjë kundër Challandes, por edhe vetë rezultatet e fundit edhe ai nëse është zotëri duhet ta sheh të arsyeshme dhe ta vlerësojë nëse duhet të jap dorëheqje apo jo”, deklaroi ai për lajmi.net.

Ndërsa, me dallim nga Tovërlani, ish futbollisti Faruk Statovci për lajmi.net,  tha se shkarkimi i Challandes duhej të bëhej qysh pas humbjes ndaj Maqedonisë, derisa nuk mendon se është tragjike humbja ndaj Suedisë dhe Spanjës.

“Kur kum thanë që duhet me u shkarku pasi humbëm me Maqedoninë, ju keni shukat. Tash që humbim me Suedinë dhe Spanjën qysh me e shkarku, pse keni menduar që Kosova fiton kundër këtyre dy Kombëtareve? Unë kam thënë herët që duhet me u shkarku, kur humbëm me Maqedoninë, kurse tash humb prej Suedisë dhe Spanjës, Kombëtare të forta, pra nuk ki Kombëtare të lehta”.

“Fatkeqësisht na kem qejf, por nuk jemi në nivel të Suedisë dhe Spanjës. Grupi jonë është vërtet i vështirë, jo vetëm Challandes, por për çdo tjetër. Unë kam thënë që momentin që ka humb me Maqedoninë duhet me shkarku, me Kombëtare që jemi të barabarta, ndoshta edhe më të forta, atëherë është dashur të reflektojmë, të mos i vazhdojmë kontratën ose ai të jep dorëheqje, kurse tash kur humb me Suedinë dhe luan ndaj Spanjës me u shkarku, mendoj që nuk është tragjike me humb prej Suedisë dhe Spanjës sepse janë Kombëtare të forta”.

Në fund, Statovci u shpreh se nuk ka shanse që të kualifikohemi, por vazhdon të jetë i mendimit se kontrata nuk duhet t’i rinovohet teknikut zviceran.

“Në këtë grup që jemi me këta djem që janë për momentin, nuk diskutohet situata, kush do që vjen në këtë grup Kosova është e vështirë të bëjë më shumë. Nëse vërtet nuk kemi shanse të kualifikohemi që vjen deri të dorëheqje apo shkarkimi, unë mendoj që trajner i ri duhet të punojë për të ardhmen, ndoshta me të ri më shumë, për arsye me pas të ardhmen më të fuqishme”.

“E di që Challandes ka kontratë edhe një vjet dhe në bazë të deklaratave të tij, ai nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje dhe këtë e ka treguar, por këto fjalë nuk i ka thënë kur ka pas me vazhdu kontratën, këto fjalë i ka thënë mbas vazhdimit të kontratës. Mendimi im është që të mos i vazhdohet kontrata, kurse tani nuk shoh njeri që mundet ta nxjerrë Kosovën me rezultate”, nënvizoi Statovci.

Kujtojmë se ndeshja mes Spanjës dhe Kosovës zhvillohet në stadiumin e Sevillas dhe nis në ora 20:45.