Tolaj: Takimi me Ulpianën shumë i rëndësishëm, Prishtina e ka vendin në krye të renditjes

FC Prishtina ndeshjen e radhës në BKT Superligën e Kosovës në futboll do ta zhvillojë të shtunën (27.11.2021) në Lipjan, me ç’rast do të përballet me skuadrën e Ulpianës në kuadër të xhiros së 16-të.

 

Prishtina udhëton në stadiumin “Sami Kelmendi” me motiv të lartë, pasi në takimin e fundit arriti fitore ndaj Feronikelit në Prishtinë, me rezultat 2:0.

Skuadra “bardhekaltër” futet në këtë takim “me mish e me shpirt”, ku do të “luftojë” për pikë të plota, në mënyrë që të mbetet në hap me skuadrat e tjera në synimet për titullin kampion.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Abdualh Ibrakoviq para këtij takimi zë pozitën e pestë në tabelë me 21 pikë të grumbulluara, shtatë më pak se lideri Gjilani (28).

Prishtinasit në sfidën e parë të këtij kampionati të zhvilluar me ish-trajnerin Zekirija Ramadani barazuan me Ulpianën në kryeqytet, me shifrat 1:1.

Mesfushori-sulmues Bleart Tolaj ka folur para ndeshjes për faqen zyrtare të klubit.

Tolaj në ndeshjen e fundit ndaj Feronikelit e realizoi golin e qetësisë, për ta çuar në dy numrin e golave personale në këtë edicion.

“Prishtina në çdo ndeshje futet për t’i fituar pikët e plota. Presim paraqitje të mirë të të gjithë ekipit dhe pres që personalisht të vazhdoj me formë të mirë dhe të shënoj përsëri në fundjavë. Deri më tash nuk jam i kënaqur me paraqitjet, pasi pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha. Shpresoj se ecuria e golave të vazhdojë dhe synimet që kemi me Prishtinën t’i arrijmë”, tha Tolaj për faqen e klubit.

“Takimi me Ulpianën është shumë i rëndësishëm, pasi kemi mbetur paksa prapa në tabelë. Dihet se Prishtina e ka vendin në krye të renditjes. Shpresojmë se këto ndeshje të mbetura do t’i fitojmë të gjitha, në mënyrë që të shkojmë të qetë në pushimin dimëror”, pohoi Bleart Tolaj, duke e vlerësuar maksimalisht edhe Ulpianën. “Ulpiana e ka një ekip shumë të mirë. Luan taktikisht shumë mirë dhe disa futbollistë të saj të rinj e shumë të rrezikshëm”, përfundoi Bleart Tolaj.

Tensione në Superioren shqiptare, kapiteni i Teutës përplaset pas ndeshjes me gjyqtarin (VIDEO)

Gjithçka e përfunduar, Ragnick deri në fund të sezonës trajner i Manchester United