Tjetër ish-president i Real Madridit me koronavirus

Fernando Martin Alvarez, që ishte president i përkohshëm i Real Madridit, është infektuar me koronavirus.

Këtë e kanë bërë të ditur të hënën mediat spanjolle. Fernando Martin ka drejtuar klubin e madh spanjoll të futbollit nga shkurti i vitit 2006 deri në prill të atij viti.

Të shtunën ish-presidenti i Realit, Lorenzo Sanz ka vdekur nga pasojat e koronavirusit.

Martin erdhi në krye të klubit pas dorëheqjes së Florentino Perezit në shkurt të vitit 2006.

Gjatë dy muajve sa ai ishte në krye, Reali nuk humbi asnjë ndeshje në ligë, por u eliminua nga Arsenali në Ligën e Kampionëve.