Tituj me Prishtinën

Sigal Prishtina ditë më parë ka njoftuar për ndryshimet e bëra duke emëruar trajnerin e ri dhe duke sjellë dy lojtarë të huaj. Një prej dy përforcimeve është edhe fundori amerikan, Willie Kemp. Ky i fundit erdhi pas largimit të Khalid El-Amin. Përforcimet e prishtinasve pritet t’i bashkohen ekipit pas festave të fundvitit. Kemp zbuloi për “Zërin”  pse vendosi të vijë te Prishtina.

“Kam ardhur te Prishtina pasi që kam dëgjuar se është një klub shumë i organizuar dhe me traditën më të madhe në Kosovë. Kam shikuar pesë ndeshjet e tyre të fundit dhe vërtet kemi një ekip të mirë me lojtarë shumë të dalluar”, u shpreh fillimisht Kemp. Ndryshe, fundori amerikan i cili u aktivizua në Kampionatin rumun më saktësisht nga ekipi BC Mures, tha se synimet e tij me klubin e ri mbesin trofetë. “Shpresoj se do të arrij që të ndihmoj ekipin tim drejt synimeve, të cilat i kemi.

Në Prishtinë kam ardhur që të fitoj trofe dhe shpresoj se do t’ia dalim të gjithë së bashku. Gjithashtu di se Prishtina ka tifozët më të mirë në Kosovë”, përfundoi Kemp. Basketbollisti amerikan në Kampionatin rumun kishte një mesatare prej tetë pikëve të shënuar për ndeshje dhe 4.8 asistime dhe dy kërcime për ndeshje. Prishtina deri tani ka bërë ndryshime në klub duke sjellë trajnerin, Antonis Constantinides, dhe basketbollistin tjetër amerikan, Andrew Warren