Tifozët e Drenicës kërcënojnë Feronikelin!

Vendimi i Feronikelit për të luajtur takimin me Drenicën në Prizren dhe jo në Skenderaj, për shkak se fusha nuk është në gjendje të mirë, ka irrituar tifozët e Drenicës, ‘Shqiponjat e Zeza’.

Ata përmes një reagimi kanë kërcënuar skuadrën nga Drenasi, nëse kjo e fundit zhvillon takimet tjera në “Bajram Aliu”, aty ku deri më tani luajti si vendas.

“Ne si kryesi e “Shqiponjave të Zeza” jemi shumë të pakënaqur me vendimin e marrë nga KF Feronikeli, për ndeshjen e xhiros 23, që ndeshja të mos luhet në Skenderaj, me arsyen se kinse fusha nuk i plotëson kushtet për lojë. Gjithashtu ju bëjmë me dije si KF Feronekelit si KF Drenicës që DERBI “Drenicak” nuk i ka hije që të luhet në një qytet tjetër, duke marrë parasysh edhe kushtet që ne i kemi, por të jetë sa më afër çdo futbolldashësi! Vetëm një gjë t’jua përkujtojmë, nëse kjo ndeshje luhet diku tjeter le ta harrojnë stadiumin “Bajram Aliu”, sepse do të jetë FERR për çdo lojë të KF Ferronikelit”, thuhet në reagimin e tyre. (Gazeta Olle)