Thaqi: Në derbi nuk ka favorit, duam fitoren

Drita do të përballet me Gjilanin në derbin e tretë lokal këtë edicion në Albi Mall Superligë.

Bardhekaltërtit janë duke ndjekur titullin e kampionit, në anën tjetër Gjilani synon daljen në Evropë.

Edhe ky duel do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, teksa te Drita duan fitoren në derbin lokal.

Trajneri i Dritës, Arsim Thaqi ka folur në konferencë për shtyp për këtë ndeshje duke thënë se në derbi nuk ka favoritë.

“Kemi pas kohën e shkurtë për përgatitjet e ndeshjes, por tashmë jemi adaptuar me intensitetin e ndeshjeve. Sidoqoftë, lojtarët janë të gatshëm 100 përqind për ndeshjen e derbit lokal, të cilët e dinë vlerën e tij edhe më shumë se unë. Derbit nuk njohin favorit, sepse mobilizimi është maksimal i të dyja palëve”.

“Ne kemi përgatit ndeshjen dhe kemi marrë të gjitha masat që kjo ndeshje të jetë në kuadër të paraqitjeve të mira dhe normal që fitorja na mbanë në ritmin e rezultateve të mira. Ajo që presim është cilësia edhe pse në mungesë të tifozëve ky derbi duhet të ruajë nivelin dhe interesimin gjithmonë”, tha fillimisht trajneri i bardhekaltërve.

Mungesa e tifozëve është për keqardhje edhe për trajnerin Thaqi.

“Mungesa e tifozëve është për keqardhje. Derbi i Gjilanit është përtej një derbi lokal, është një aset i futbollit kosovar t’u e dit atmosferën që krijon dhe duhet të mendohet përtej një ndeshje. Duke e parë atmosferën, nivelin dhe cilësitë e klubeve duhet të mendohet të ruhet dhe të mendohet më larg sepse kjo të ndihmon edhe me u zhvillu si futboll. Unë shpresoj që ky derbi të marrë vëmendjen dhe seriozitetin që mos të bie niveli dhe të mbahet ritmi i investimeve, sepse mendoj që me interesimin nga një qytet me kaq shumë tifozë do të tejkalonte çdo derbi lokal në rajon”.

“Unë nuk kam çfarë flas për motivin, vullnetin dhe dëshirën për angazhim në këtë derbi, sepse futbollistët e dinë rëndësinë e ndeshjes më mirë se unë, sepse derbi është një spektakël me adrenalinë të veçantë”, deklaroi trajneri Arsim Thaqi. /Gazeta Olle/

Rashica me asistim fantastik për Zaniolon, italiani shënon në debutim për Galatasarayn (Video)

Peja fiton me 47 pikë diferencë përballë Vëllaznimit