Ndonëse në disa takime të përzgjedhurit e trajnerit, Bekim Isufi ishin në disavantazh, ata gjetën forcën dhe u rikthyen duke përmbysur rezultatin, siç ishte ajo e xhiros së fundit ndaj Drenicës, nga 0-2 në 3-2.
Mbrojtësi i krahut, Armend Thaqi i “qan” më shumë pikët e lëshuara në disa barazime të skuadrës së tij.
“Jemi ende pa humbje edhe pse kemi lëshuar disa pikë që nuk është dashtë t’i lëshojmë. Normalisht është e vështirë sidomos këtë sezon, sepse gjitha ekipet po luftojnë në maksimum për pikë”, deklaroi Thaqi të hënën për Demokracia.com.
Thaqi është zgjedhur edhe “Ylli i Javës” për golin dhe kontributin e tij në fitoren ndaj Drenicës (3-2). Mbrojtësi tregon përparësitë e Ballkanit këtë edicion për dallim nga sezonet paraprake.
“Këtë sezon jemi më të pjekur si ekip dhe si futbollista. Kemi marrë mësim nga vitet e kaluara në disa gabime që na kanë ndodhur dhe po luajmë më të qetë dhe më sigurtë dhe kjo besojë qe po na jep suksese”, tregoi tutje ai.
Therandasit ndeshjen e radhës në kuadër të javës së nëntë në elitë do të ketë punë shumë të vështirë, ngase udhëton të takohet me Gjilanin.
28-vjeçari vlerëson lart skuadrën e Ismet Munishin, derisa deklaron se Ballkani në çdo ndeshje zbret në fushë për pikët maksimale.
“Synojmë ta mbajmë vendin e parë deri sa të kemi mundësi dhe synojmë çdo ndeshje fitoren. Mirëpo duhet ta dimë që kemi përball njërën nga skuadrat me cilësinë më të madhe në lige dhe normal që do jetë e vështirë, mirëpo jo e pamundur në fund”, nënvizoi ylli i Ballkanit.