Testi vendimtar që tregon se a do të luaj Ronaldo përballë Messit në Ligën e Kampionëve

Juventusi në ankth për Cristiano Ronaldon. Klubi, skuadra dhe tifozët shpresojnë se ylli portugez do të jetë në gjendje të kthehet në fushë për supersfidën në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës.

Pasi rezultoi i prekur nga koronavirusi dhe qëndroi në karantinë, CR7 pret përgjigjen e tamponit vendimtar. Nëse do të rezultojë negativ, çka është tregues se e ka kaluar infektimin, Ronaldo do të jetë në gjendje që të sfidojë rivalin e madh, Lionel Messin, për herë të parë me një fanellë që nuk është ajo e Real Madrid.

I prekur prej datës 13 tetor, sulmuesi qëndroi në izolim duke plotësuar afatin 14-ditor të përcaktuar nga autoritetet në Itali. Shpresa e portugezit është që tamponi i radhës të rezultojë negativ, në mënyrë që të jetë në fushë. Një avantazh për Cristiano Ronaldon dhe Juventusin është fakti se protokolli i UEFA-s përcakton që një lojtar mund të luajë nëse gjatë gjithë javës para ndeshjes nuk ka pasur simptoma dhe përgjigjja e tamponit të jetë negative 24 orë përpara ndeshjes.

Aktualisht, CR7 është asimptomatik dhe pret vetëm përgjigjen e testit për të rikthyer duelin e madh me Lionel Messin.