Tërheqja e Pejës, ja çfarë thotë rregullorja

Pas mos-vazhdimit të ndeshjes finale ndërmjet Sigal Pirshtinës dhe Pejës, ku pejanët u tërhoqën nga parketi pa përfunduar ndeshja, pyetja më e madhe është se cili do të jetë vendimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Me datë 29.07.2014, pas mbledhjes së Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës ishin miratuar  disa nene për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet gjithë pjesëmarrësve që marrin pjesë në sistemin e garave të organizuara sipas FBK-së, shkruan GazetaOlle.com.

Neni 1.3 prej këtyre rregullave thotë se asnjë klub pjesëmarrës në garat e FBK-së  nuk guxon në asnjë rrethanë:

1.4. Që të refuzojë ndeshjen apo të lëshojë fushën e lojës pa përfunduar ndeshja.

1.5. Që të refuzojë pjesëmarrjen, apo të lëshojë – braktisë, ceremonialin e hapjes, mbylljes apo ceremonialin e shpalljes së fituesit dhe ndarjes së medaljeve dhe dhuratave.

1.6. Që të sillet në mënyrë jokorrekte dhe ofenduese me çka do të ndikojë në zhvillimin normal të garave, funksionet oficiele (zyrtare) të garave apo ceremonive.

Në rast të shkeljes së këtyre dispozitave, Komisioni Disiplinor i FBK-së, me Propozim të Komesarit të Garave, apo organit tjetër të FBK-së, do të shqiptojë dënimin dhe atë:

“Diskualifikimi i menjëhershëm dhe ndalesa e paraqitjes në gara në kohëzgjatje prej një (1) sezoni dhe dënimi me para në shumë prej 3.000 EUR, si dhe dënimi për personin përgjegjës të Klubit (përfaqësuesi zyrtar apo kryetari i klubit)”.