Tërbohen anglezët, shqiptarët më shumë bileta se ne

Britanikët janë ‘revoltuar’ me numrin e biletave që u janë vënë në dispozicion nga UEFA në finalet e “Euro 2016”-s që do të luhen në Francë.

Mediat britanike shkruajnë se Islanda dhe Shqipëria kanë përfituar numrin më të madh të biletave, referuar numrit për frymë të banorëve që kanë këto shtete.

Gazeta britanike “dailystar.co.uk”, shkruan se Anglia do të ketë rreth 8000 bileta më pak se Islanda, por edhe më pak se Shqipëria dhe se 12 vende të tjera, raporton Panorama Sport.

Në një përllogaritje që i është bërë numrit të popullsisë së Islandës prej 323.002 banorë, thuhet se 1 në 10 banorë do të përfitojnë një vend për të parë skuadrën e tyre (rreth 31,240 bileta), ndërsa për Anglinë në tri ndeshje thuhet se janë vënë në dispozicion rreth 23.520 bileta.

Në finalet e evropianit kuqezinjve i takojnë rreth 26.080 bileta dhe kjo sipas mediave angleze, është më tepër sesa numri i biletave që janë rezervuar për ta.