Tenistet e Kosovës e kanë përfunduar të premten paraqitjen në “Billie Jean King Cup”, që është Kupa e Botës në konkurrencë ekipore. Përfaqësuesja e Kosovës ia doli të mbetet në Grupin II, që ishte synimi primar. Por i humbi dy përballjet me plasman dhe u rendit e nënta në zonën Evropë/Afrikë të Grupit II.
BJK Cup është e ndarë në nivele. Pas Grupit II, që është mesatar, janë edhe Grupi III dhe Grupi IV.
Në Vilnius të Lituanisë, pos Kosovës, kanë garuar edhe dhjetë përfaqësuese të tjera, që ishin të ndara në tri grupe. Dy më të mirat avancuan në Grupin I e dy të fundit ranë në Grupin III.
Kosova ishte në grup me Egjiptin, Gjeorgjinë dhe Maltën. Fitoi 2:1 ndaj Gjeorgjisë, u mposht 3:0 nga Egjipti dhe fitoi 3:0 ndaj Maltës. Egjipti e fitoi grupin, i pasuar nga Gjeorgjia, Kosova e Malta, që ra në nivel më të ulët. Për plasman përfundimtar, Kosova luajti me dy përfaqësueset e tjera të pozitës së tretë nëpër grupet përkatëse. Të enjten tenistet e Kosovës humbën 2:1 nga Bosnjë-Hercegovina. Të premten në përballjen finale, pësuan 3:0 nga Estonia. Kështu Kosova përfundoi e nënta prej 11 përfaqësueseve sa ishin gjithsej në këtë turne.
Të premten, Forta Morina humbi 6:0, 6:0 nga Elena Malygina. Tenistja kryesore e Kosovës, Arlinda Rushiti, humbi 2:1 në sete nga Kaia Kanepi. Setin e parë e humbi 6:2, ndërsa në të dytin Arlinda u kthye, 6:3. Por seti i tretë përfundoi 6:3 për Kanepin. Në çifte, Aja Broqi e Adrijana Lekaj pësuan 6:1, 6:0.
Bosnja e Estonia të shtunën luajnë për pozitën e shtatë. Promovimin në Grupin I e kanë siguruar Kroacia e Lituania.
Në Federatën e Tenisit të Kosovës e kanë vlerësuar shumë lart paraqitjen në BJK Cup. Sipas Federatës, tenistet ndaj Estonisë ishin të lënduara dhe të lodhura për shkak të ngarkesës së madhe.
“Vajzave tona për pak u iku fitorja ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Arlinda Rushiti i bëri ballë dhe humbi ngushtë me tenisten më të mirë të turneut, egjiptianen Maiar Sherif”, ka shkruar Federata e Tenisit e Kosovës.
Ndaj Maiar Sherifit, Rushiti ka pësuar 6:4, 6:4. Por Arlinda Rushiti ka mbajtur barrën kryesore të Kosovës. Thuajse çdo ditë është paraqitur në konkurrencë individuale dhe në çifte.