Pas 12 viteve në futboll, Ergon Hyseni zyrtarisht do t’i jap fund karrierës si futbollist aktiv.
Një nga mbrojtësit më të mirë ferizajas ka vendosur që t’i jap fund karrierës në moshën 30-vjeçare.
Qendërmbrojtësi ka bërë karrierë të gjatë në futbollin kosovar duke luajtur për Ferizajn në tre periudha të ndryshme, Vitinë në dy periudha të ndryshme, Gjilanin si dhe Arbërinë.
Ai katër vitet e fundit i ka kaluar te skaudra e qytetit të tij Ferizaj, derisa në ndeshjen ndaj Vushtrrisë që është e fundit për Ferizajn këtë edicion do t’i jap fund karrierës së shkëlqyer.
“Nesër ndaj Vushtrrisë është ndeshja e fundit në karrierën time si profesionist. Natyrisht nuk është një vendim i lehtë, por kjo është mënyra më e mirë e mundshme për t’i thënë jo një lamtumirë, por vetëm mirëupafshim futbollit”, thotë Hyseni për Gazetën Olle.
Hyseni thotë se ka qenë më shumë për arsye personale përfundimi i karrierës, por ai thotë se përsëri do të jetë pranë futbollit, vetëm se me një pozitë të re.
“Deri tek ky vendim kam ardhur duke i shikuar disa arsyeje, por për të përmbledhur në tërësi është vendim për çështje personale. Gjithsesi e ardhmja prapë do të jetë me futbollin dhe gjithmonë afër futbollit”, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka qenë një mbrojtës shumë i fortë në duelet dhe një futbollist që ka lënë gjurmë me fanellën e Ferizajt, por edhe me skuadrat e tjera ku ka luajtur.
Ferizaj të shtunën do të stoliset me titullin kampion të Ligës së Parë në Grupin B, derisa Hyseni ishte ndër lojtarët më meritorë për këtë sukses të klubit bardhekaltër. /Gazeta Olle/