Klubi Basketbollistik ‘Prishtina’ sot luan edhe ndeshjen e katërt në Ligën Ballkanike, shkruan Sheshi.info
Nga ora 19:00 në palestrën ‘Pallati i Rinisë dhe Sporteve’ në kryeqytet, Prishtina do të përballet me Ibar Rozhajen.
‘Bardhekaltërit’ kanë bërë përgatitjet e fundit para ndeshjes dhe ndihen optimistë për fitore.
Kapiteni Muhamedali Janjeva dhe zv.kapiteni Don Polloshka, kanë dhënë një prononcim për ‘Sheshi.info’ para këtij dueli, derisa theksuan se te Prishtina besojnë në fitore.
Janjeva tregoj se atmosfera qëndron mirë dhe jane gati për të marrë fitoren e radhës.
‘Atmosfera qëndron mirë brenda skuadrës. Kundërshtarin e kemi analizuar në detaje dhe besojmë që në fund do të dalim fitues për të vazhduar me ecuri pozitive në Ligën Ballkanike’, tha Janjeva.
Ndërkaq optimist para këtij dueli u shpreh edhe Polloshka, teksa tha se mosha brenda skuadrës është arma e tyre më e mirë dhe se presin fitore në këtë ndeshje.
‘Jemi përgatitur maksimalisht për këtë duel dhe besojmë që do të dalim fitues. Besoj që do t’i kryejmë me përpikëri detyrat që kemi nga trajneri. Kundërshtari ka përvojë të madhe, por ne kemi armën me të mirë brenda skuadrës e cila është mosha. Këtë edicion jemi një ekip krejtësisht e re në moshë dhe do ta shfrytëzojmë lojën në sulm dhe agresivitetin në mbrojtje’, tha Polloshka.
Derisa të dy lojtarët presin edhe mbështetjen nga tifozëria e kryesisht nga ‘Plisat’, pasi janë motiv shtesë në këso ndeshje të rëndësishme.
Prishtina në Ligën Ballkanike ka të zhvilluara tre ndeshje, ku një e ka fituar dhe humbur dy, teksa Rozhaje ka të humbura të dy ndeshje të zhvilluara. Kjo ndeshje është e vlefshme në Grupin B, derisa gjenden gjashtë skuadra dhe katër nga këto kalojnë tutje.