Të luash për Kosovën nuk ka ndjenjë më të mirë

Reprezentacioni i Kosovës I grup moshës U20 në Samokov të Bullgarisë ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore ne kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Evropian U20 Divizioni B që zhvillohet në Hungari dhe fillon më 9 korrik.

Reprezentacioni i Kosovës për kundërshtar pati Bullgarinë dhe në ndeshje pësoi humbje me rezultat 76:83. Lojtari më i dalluar në këtë takim ishte basketbollisti Leonard Mekaj i cili realizoi 24 pikë të cilat nuk i mjaftuan Kosovës që të arrijë fitore.

Mekaj në një prononcim për GazetaOlle.com, tha se kjo ndeshje ishte ndjenja më e mirë në karrierën e tij.

“Të luash këtë ndeshje është ndjenja më e mirë prej se luaj basketboll. Shpresoj se në ndeshjen e dytë miqësore që do të zhvillojmë të arrijmë të shënojmë fitore edhe pse jemi të lodhur”, u shpreh Mekaj.

Kosova do të zhvillojë nesër ndeshjen e dytë miqësore me Bullgarinë, në ora 14:30 sipas kohës lokale.

Bullgaria sivjet do të bëjë gara në Divizionin A në Kampionat Evropian U 20 dhe në grup do të garojë me Serbinë, Izraelin, Letoninë dhe Greqinë.

Kosova në grupin e vet në evropianin e Divizionit B për kundërshtarë do të ketë Malin e Zi, Gjeorgjinë, Luksemburgun dhe Portugalinë.