Liria e Prizrenit priti katër vjet për t’u kthyer në Superligën e Kosovës në futboll. Por nuk i rezistoi më shumë se një vit qëndrimit në Superligë.
Me barazimin pa gola ndaj Dukagjinit, të shtunën, Liria edhe zyrtarisht për edicionin tjetër do të bie në Ligën e Parë. Ka kohë që prizrenasit ishin dorëzuar në garën për mbetje në Superligë.
Për dështimin sportiv, te Liria thonë se kanë faj të gjithë.
“Përgjegjësia është e komplet klubit. Faji është i përgjithshëm”, ka thënë kryetari i klubit Liria, Valon Osmani, të dielën për KOHËN.
Edhe kapiteni, Diellor Beseni, thotë se përgjegjësia u takon të gjithëve.
“Faji është i të gjithëve. Secili duhet ta marrë përsipër pjesën e vet të përgjegjësisë”, është shprehur Beseni.
Liria është prej skuadrave më me nam në futbollin kosovar, bazuar në historinë e pasur.
Kishte mobilizim e entuziazëm në Prizren në fillimit të edicionit. Ndeshja hapëse e edicionit 2023/2024, kundër kampionit në fuqi, Ballkani, u përcoll nga një numër i madh shikuesish. Tribunat e stadiumit “Përparim Thaçi” ishin të mbushura me shikues. U vlerësua se Liria i ka munguar Superligës.
Në mungesë të rezultateve entuziazmi ra shumë shpejt, ndonëse skuadra prizrenase pati afrime të shumta dhe trajnerë të huaj.
Pas suksesit me Xhengis Rexhepin në Ligën e Parë, Liria për trajner në Superligë emëroi turkun Nedim Yigitin. Pas Yigitit, Lirinë e udhëhoqi edhe Mirsad Jonuz dhe Ali Gyshen.
Tani skuadrën po e udhëheq Erdogan Brando.
“Kemi ndryshuar shumë trajnerë, shumë lojtarë dhe ndoshta kjo ka qenë një prej arsyeve. Nuk kemi çka të bëjmë, duhet të përgatitemi për Ligë të Parë dhe të kthehemi sërish në Superligë. Liria është klub i madh, qyteti i Prizrenit është prapa klubit. Kemi mësuar shumë gjëra nga Superliga”, ka theksuar tutje Valon Osmani.
Kryetari i klubit thotë se Liria do të riorganizohet duke ua dhënë mundësinë trajnerëve të vendit dhe lojtarëve të shkollës së futbollit.
“Një gabim e shohim angazhimin e trajnerëve të huaj. Do të ishim më të suksesshëm nëse do të kishim trajner të vendit. Siç e keni parë edhe të shtunën, Liria do t’iu qaset njëjtë edhe ndeshjeve të tjera. Do të jetë çdo ndeshje si finale për ne. Ne e shohim punën tonë dhe nuk na interesojnë klubet e tjera”, është shprehur Osmani.
Klubi nga Prizreni ka hasur në vështirësi të shumta viteve të fundit, të cilat kryesisht i ka kaluar në Ligën e Parë.
Te Liria pranojnë edhe borxhet ndaj lojtarëve dhe stafit të klubit.
“Çdo klub është në krizë ekonomike, jo vetëm ne. Ne jemi prapa një muaj apo një muaj e gjysmë, ndaj lojtarëve dhe stafit. Por do të kryhen shpejt obligimet. Besoj se do të kthehemi shpejtë në Superligë”, ka thënë drejtori i klubit prizrenas, Gazmend Kiçe.
Liria ka një titull dhe dy Kupa të Kosovës. Nga ky klub thonë se do ta respektojnë deri në fund kampionatin.
“Rënia nuk është dashur të ndodhë, por kjo ka ndodhur tashmë dhe ne në çdo ndeshje do të futemi për të treguar më të mirën”, ka thënë kapiteni Beseni.
Portieri me përvojë, Stivi Frashëri, thotë se do ta japin maksimumin në çdo ndeshje të mbetur. Frashëri në shkurt të këtij viti iu bashkua Lirisë. Ai më herët ka qenë portier i Ballkanit. Ka treguar paraqitje të mira me fanellën e Lirisë.
“Jo vetëm neve që luajmë për Lirinë, por besoj krejt Kosovës i vjen keq, përveç atyre që kanë dashur t’i bëjnë keq me dashje. Në futboll e dimë që gjërat e mira harrohen shume shpejt, të këqijat mbahen mend. Edhe pse unë e gjeta në një moment shumë të vështirë, kisha besim që do të ndryshoja shumë, por që nuk ia arrita dot në fund të fundit. Edhe në memorien time do të mbetet si një nga fazat që nuk mund t’i jepnim Lirisë atë shkëlqimin që kishte nevojë gjatë këtyre ndeshjeve. Edhe pse Liria është në moment të keq, ka fytyrë dhe lojtarë që duan të mbajnë kokën lart deri në fund. Askush nuk do të bëjë diçka që do të cenojë dinjitetin e Lirisë. Për këtë ju garantoj”, ka thënë Frashëri.
Liria është në vendin e fundit me 11 pikë. Ka vetëm një fitore. Ka barazuar tetë herë, ndërsa ka pësuar 21 humbje. Gjasat janë të vogla të arrijë ndonjë fitore tjetër në gjashtë xhirot e mbetura.