Sezoni 2022/23 në Albi Mall Superligën e Kosovës do të mbyllet sot kur në program janë për tu zhvilluar ndeshjet e xhiros së 36-të.
Gara për titull tanimë është mbyllur pasi Ballkani e ka fituar atë matematikisht javën e kaluar, derisa mbetet ende për tu konfirmuar skuadra e katërt evropiane dhe ajo që do të mbetet në barazh.
Gjilani është nikoqir i Ballkanit, por dy klubet janë marrë vesh që dueli të zhvillohet në Suharekë në mënyrë që kampioni në fuqi të festoj titullin para adhuruesve të vet.
Drita pasi humbi titullin tre xhiro para fundit edhe pse kishte gjithçka në dorë të tyre do të përballet me Drenicën në udhëtim.
Dy duelet më interesante zhvillohen në Ferizaj dhe Mitrovicë. Trepça ’89 përballet me Prishtinën, derisa Ferizaj pret Dukagjinin.
Si 89-shi ashtu edhe Ferizaj po kërkojnë një vend në barazh, derisa Prishtina dhe Dukagjini janë në luftë për pozitën e katërt në tabelë që i dërgon në Ligën e Konferencës.
E dueli i pestë dhe i fundit i këtij stinori zhvillohet në stadiumin ‘Liman Gegaj’ ku Malisheva pret Llapin.
Të gjitha ndeshjet fillojnë nga ora 15:00. /Gazeta Olle/