Tare: Lënia jashtë e Strakoshës, skandaloze!

Gjatë intervistës për “Panorama Sport”, Igli Tare ka rrëfyer edhe një prapaskenë interesante që ka të bëjë me portierin e Shpresave, Thoma Strakosha. Drejtori i Përgjithshëm i Lazios deklaroi se Strakosha nuk u grumbullua në ndeshjen e fundit me U-21, si ndëshkim për faktin që lojtari i Lacios nuk udhëtoi në turneun që bëri pak javë më parë skuadra e Gegës në Turqi.

“Mendoj se ishte skandaloz lënia jashtë e Thoma Strakoshës për ndeshjen kundër Lihtenshtejnit. U la jashtë pse futbollisti nuk u grumbullua pak javë më parë në një turne miqësor që zhvilloi përfaqësuesja U-21.

Kjo është e papranueshme, sepse gafën e bëri vetë federata”, u shpreh Tare. Më tej, ai ka sqaruar edhe gabimin që, sipas tij, bëri institucioni ynë i futbollit para se ta ftonte në turneun ku Strakosha nuk u paraqit. “Federata nuk dërgoi asnjë shkresë me vulë në zyrat e Lacios, asnjë kërkesë zyrtare për të qenë, ose siç i ka hije një institucioni futbolli. Por vetëm dy ditë para se të niseshin për në vendin ku do të luanin i telefonuan lojtarit dhe e njoftuan se duhej të paraqitej në ekipin kombëtar. Kjo nuk është aspak korrekte.

Sado dashamirësi mund të kemi kundrejt lojtarit, klubi i Lacios ka disa standarde që nuk mundet t’i cenojë dhe gjërat funksionojnë në mënyrë zyrtare. Lojtari nuk mund të shkonte atje pa pasur një njoftim zyrtar. Po çfarë ndodhi më pas? Në shenjë hakmarrjeje, Strakosha nuk u thirr për ndeshjen kundër Lihtenshtejnit. Kjo ishte për të ardhur keq. Një hakmarrje e pastër për një gafë që e bëri vetë federata”, u shpreh Tare.