Tarashaj i kundërpërgjigjet De Biasist: Nuk bëhesh më shqiptar se unë

Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi ditë më parë ia mbylli dyert njërit nga sulmuesit më të talentuar shqiptar viteve të fundit, Shani Tarashajt, duke thënë kinse lojtari nuk iu ka përgjigjur menjëherë ftesës së Shqipërisë.

Por, talenti i Grasshopperit, Shani Tarashaj nuk ndihet në faj dhe as tradhtarë për këtë gjë dhe ka vendosur të reagoj për ta treguar të vërtetën e kësaj ngjarje.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, 20-vjeçari që ka bërë skuadrat më të njohura evropiane të ‘çmenden’ pas tij ka treguar prapaskenat e bisedimit të tij me De Biasin si dhe ka reaguar ndaj fjalëve të italianit.

“Në kohën kur më ka kontaktuar trajneri De Biasi, kam qenë shumë i angazhuar në klub pasi më është dhënë rasti për të luajtur titullar dhe kam dashur të fokusohem vetëm në klub për ta mbajtur formën. Gjithashtu kanë qenë disa procedura të ushtrisë që jam duke e kryer dhe kamë qenë jashtëzakonisht i ngarkuar në ato kohë dhe nuk është e vërtetë që unë i kam kthyer përgjigje negative De Biasit. Unë nuk ia kam mbyllur derën Shqipërisë, por as Shqipëria nuk ma ka mbyllur mua derën, kjo është vetëm dëshirë e trajnerit italian De Biasi”, rrëfehet Tarashaj.

“De Biasi nuk mund të bëhet më shqiptar e më patriot se unë, pasi kam shumë anëtarë të familjes që kanë luftuar për këtë tokë dhe këtë vend dhe nuk mund të ma ndaloj askush fanellën e Shqipërisë apo Kosovës. Jam rritur me dashuri ndaj vendlindjes sime dhe atë dashuri nuk mund të ma shuaj një italian”, vazhdon tutje Tarashaj.

“Duhet të skuqet ai për ato fjalë të pavërteta që ka thënë, duhet t’i vije turp nga vetja e tij me ja thyer zemrën një djali të ri shqiptar”, tregon Tarashaj.

Tutje djaloshi nga Prizreni që vetëm brenda shtatë muajve ka ngritur vlerën e tij në 5 milionë euro tregon edhe për interesimin e Kosovës për të.

“Mua më ka kontaktuar edhe Kosova para se të më kontaktojë De Biasi. Përgjigja e njëjtë ka qenë edhe për Kosovën ku i kam thënë se më duhet të koncentrohem në Grasshopper për ta fituar vendin e titullarit dhe më kanë kuptuar dhe më kanë përkrahur maksimalisht”.

“Më kanë kuptuar shqiptarët e Kosovës ndërsa trajneri italian i Shqipërisë nuk më ka kontaktuar më prej atij momenti dhe tani jep intervista kinse unë e paskam refuzuar Shqipërinë gjë që është e pavërtetë”, thotë anëtari i Përfaqësueses së Zvicrës U21, që ka disa fjalë edhe për ‘helvetikët’.