Talenti shqiptar: Nuk e kam refuzuar Shqipërinë!

Para ndeshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, mediat përtej Adriatikut kanë kthyer sytë nga një nga të paktët futbollistë që kanë provuar fanellat e të dy kombëtareve, ndonëse për një periudhë shumë të shkurtër. Bëhet fjalë për Elvis Kabashin, mesfushorin e talentuar i cili pas një eksperiencë me U-19 të Shqipërisë, refuzoi ftesat kuqezi pasi mendonte se ishte gati për Italinë.
Futbollisti asokohe ishte pjesë e akademisë së Juventusit dhe arriti deri aty sa të ulej disa herë në stol në ndeshjet e Serisë A përkrah yjeve të kësaj skuadre dhe të merrte një ftesë për një miqësore nga përfaqësuesja italiane e Serisë B.
Por që kur i tha jo Shqipërisë, karriera e Kabashit ka filluar pikiatën, i huazuar çdo vit nga Juventusi, por rrallëherë duke dhënë paraqitje mbresëlënëse, aq sa tani është te Pontedera në Lega Pro. Megjithatë, në një intervistë për mediat italiane, Kabashi pretendon se nuk është e vërtetë që i ka dhënë “jo’ Shqipërisë.
“Unë kam luajtur me përfaqësuesen italiane të Serisë B, kam bërë Europianin e U-19 me Shqipërinë dhe atje kishim pak fërkime në këto vitet e fundit. Gazetat kanë shkruar se nuk desha të shkoja me ta, por nuk është e vërtetë pasi isha dëmtuar te Juventusi dhe dëshiroja të riaftësohesha
U telefonova dhe u thashë se dëshiroja të qëndroja në Torino për të rikuperuar sa më mirë me stafin bardhezi, ishte më mirë për mua dhe për ata”, tregoi versionin e ri të ngjarjeve futbollisti i cili pranoi se nuk i kujtohej se pse 5 vite më parë Juventusi vendosi ta merrte nga akademia e Empolit.
Por të paktën tani ai është i ndërgjegjshëm se zgjedhjet nuk janë më në dorën e tij, duke parë rrjedhën që ka marrë karriera e 23-vjeçarit.
“Babai im është lindur dhe rritur atje, zemra ime është shqiptare por ajo që ka rëndësi është të tregoj në fushë se e meritoj një thirrje të mundshme. Askush nuk do të të thërrasë nëse nuk paraqitesh mirë aty”, thotë ai, me sa duket duke ëndërruar një ftesë kuqezi.
Gjithsesi, ai pranon se është i ndarë në mendimet për ndeshjen e të premtes. “Kam origjinë shqiptare, sigurisht që kam zemrën e ndarë në mes pasi ky është gjaku im (qesh). Shqipëria është rritur shumë në vitet e fundit, ka një trajner të madh dhe po luan një futboll të mirë. Më parë shihej më pak, arriti këtë verë të kualifikohej në Europian. Italia ka një skuadër të fortë, të rinjtë janë krah për krah me kampionë që kanë fituar një Botëror si De Rosi e Bufon”, dha Kabashi mendimin e tij për duelin që do të zhvillohet në Palermo.