Takohen presidentët e dy gjigantëve kosovarë, kampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës: Këtë vit cili do të fitojë?

Drita dhe Prishtina janë dy skuadrat e mëdha kosovare që po luftojnë për titullin e kampionit.

Dy gjigantët kosovarë kanë rivalitet mes vete prej vitesh, ndërsa së fundmi janë përballur shumë shpesh.

Edicionin e kaluar Drita arriti të shpallet kampion i Kosovës, ndërsa Prishtina fitoi Kupën.

Ndërkohë në finalen e Superkupës së Kosovës triumfuan kryeqytetasit në një ndeshje që u zhvillua në Antalya të Turqisë.

Skuadrat bardhekaltër po drejtohen nga njerëz shumë të suksesshëm si Flamur Bunjaku dhe Rrahman Haradini.

Dy biznesmenët kosovarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër janë miq të mirë, por në futboll kanë preferenca të ndryshme.

Dyshja janë takuar së fundmi në Zvicër dhe sigurisht që temë diskutimi ka qenë futbolli, pasi edhe këtë vit Drita dhe Prishtina po kërkojnë titullin e kampionit.

Ka qenë numri një i prishtinasve, Rrahman Haradini që ka publikur një foto në profilin e tij së bashku me Flamur Bunjakun me një mbishkrim shumë interesant.

“Këtë vit cili do të bëhemi kampion”, ka shkruar Haradini.

Kujtojmë që prej ardhjes së Bunjakut në krye të Dritës së bashku me Valon Murselin, klubi gjilanas është rikthyer në nivelet më të larta duke fituar dy tituj të kampionit dhe një Superkupë, derisa ka bërë paraqitje të jashtëzakonshme edhe në garat evropiane.

Në anën tjetër Haradini me Prishtinën e tij kanë fituar trofe si Kupa e Kosovës dhe Superkupa, por që titulli i kampionit ka shtatë vite që mungon në kryeqytetin kosovar.

/Gazeta Olle/