Taipi: Ftesa e Kombëtares lidhet me këtë fakt

Mesfushori shqiptar nga Tërnoci i Bujanocit, Gjelbrim Taipi, po shkëlqen me paraqitjet e tij në këtë edicion në Ligën e Dytë të Zvicrës me skuadrën e Wilit.

22-vjeçari sipas të gjitha gjasave shumë shpejt do të ndërrojë mjedis.

Ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë U-21, rrëfehet për sportal.al. “Sigurisht se jam shumë i kënaqur me paraqitjet që kam bërë në këtë edicion. Një fakt të tillë më së mirë po e tregon fusha e gjelbër. Mund të them se kam për të dhënë edhe më shumë nga vetja, por këtë më së miri do ta tregojë koha”, ka thënë Gjelbrim Taipi.

“Kam disa oferta, edhe në afatin që kaloi më kanë kërkuar me ngul disa skuadra në Superligën e Zvicrës, të cilat më kanë vëzhguar nga afër, por në konsultë me menaxherin, kemi vendosur që mos të publikojmë asgjë për momentin”, shtoi Taipi. Ai në këtë edicion ka realizuar katër gola.

Ky i fundit ka edhe një ëndërr për të realizuar. “Besoj se do të vijë edhe koha e Kombëtares së madhe. Ekipi ynë kombëtar e ka bërë një skuadër shumë të mirë dhe që po ecën mirë. Mendoj se posa të kalojë në Superligën e Zvicrës, do të më vijë ftesa nga përzgjedhësi Gianni De Biasi”, përfundoi Gjelbrim Taipi.