Tahir Batatina: Ballkani nuk e feston titullin në “Zahir Pajaziti”, le ta kalojë fillimisht festën e Fitër Bajramit

Një super ndeshje zhvillohet të dielën në Superligën e Kosovës.

Llapi dhe Ballkani do të përballen në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në atë që konsiderohet si një nga ndeshjet më interesante të sezonit.

Me një fitore të mundshme në këtë takim, skuadra e Dajës do të shpallet kampion.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë për ‘GazetaBlic Sport’ se skuadra e Ballkanit nuk do të festojë titullin në Podujevë, me skuadrën e tij që kërkon vetëm fitoren në këtë takim.

Do të jetë një ndeshje shumë e rivalizuar. Nëse shohim formën e dy skuadrave, atëherë është e nënkuptueshme që pritet të jetë një ndeshje e jashtëzakonshme. Nuk e besoj që Ballkani do të festojë në stadiumin “Zahir Pajaziti”, skuadra nga Suhareka ta kalojë festën e Fitër Bajrami e qetë, pastaj ta festojë titullin kampion. Ne do të tentojmë vetëm tre pikë në këtë takim, atje ku kërkojmë që edicionin ta përmbyllim me epitetin e nënkampionit. Jemi në një formë të mrekullueshme, duhet të fitojmë ne dhe pastaj të presim gabimet e Dritës dhe Gjilanit“, tha fillimisht Batatina.

Më pas, Batatina u pyet edhe për sigurinë e ndeshjes në Podujevë, atje ku tha se klubi do të marrë të gjitha masat, kjo për shkak se dihet tashmë rivaliteti i madh i dy tifozervie “Xhebrailave” dhe “Legjendave”.

Ne jemi rivalë në fushë, por nuk jemi armiqë jashtë saj. Cilado skuadër që shpallet kampion, unë do të jem tifoz i tyre në garat evropiane. Do të jetë një derbi i madh, tifozët duhet të krijojnë spektakël, si tifozët tanë, ashtu edhe ata mysafirë. Duhet të na japin më të mirën në tribuna, por shpresoj që mos të kemi ndonjë veprim që do ta prishte imazhin e ndeshjes. Ne kemi marrur të gjitha masat në aspektin e sigurisë. Stadiumi ynë i plotëson kriteret evropiane, mendoj që të gjithë duhet të jenë të qetë, ta shijojmë ndoshta ndeshjen më të mirë të sezonit “, përfundoi Batatina.

Distria Krasniqi fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian

Kombëtarja U16 do të marrë pjesë në turneun zhvillimor të UEFA-s