Synonin të fusnin meshkuj te ekipi i femrave!

Trajneri i Vllaznisë në volejboll për femra, Nebojsha Grabez, ka braktisur stërvitjen në mesjavën e kaluar duke u larguar i irrituar pas një debati me trajneren tjetër Sadije Goga.

Të dy palët deklarojnë se ky debat ka ardhur për shkak të mënyrës së zhvillimit të seancave stërvitore. Grabez dhe Goga nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin dhe malazezi ka hapur rrugë duke zgjedhur të largohet. Në këtë mënyrë, skuadra ka qëndruar dy ditë pa bërë stërvitje, ndërkohë që katër prej volejbollisteve, kapitenia Ana Gjelaj, Klodeta Zhivani, Paola Koçeku dhe Iris Bardeli nuk kanë udhëtuar drejt Tiranës për të marrë pjesë në ndeshjen e parë, ku Vllaznia humbi 0-3 përballë Partizanit. Të dy trajnerët Grabez dhe Goga kanë folur shkurt duke sqaruar mbi ngjarjen e fundit dhe debatin mes tyre.

“Po kam pasur probleme me trajneren Goga për mënyrën e komunikimit dhe organizimit. Gjithmonë bëhet fjalë për stërvitjen. Unë nuk mund të punoj jashtë kushteve që kam parashikuar, s’është në stilin tim”, ka deklaruar malazezi Grabez. I pyetur nëse mund të rikthehet apo jo, tekniku malazez nuk përjashton asnjë mundësi.

“Nuk kthehem nëse askush nga klubi s’e kërkon këtë gjë. Unë nuk mund të them se dua apo nuk dua të kthehem. Gjithmonë çështjet duhen diskutuar”. Më e përmbledhur është treguar trajnerja shkodrane, Sadije Goga: “Kanë qenë debate për stërvitjen më shumë dhe është larguar vetë me dëshirën e tij. Ne do të kemi një mbledhje me drejtorin e sport klub Vllaznia dhe, më pas, do të flasim më gjatë”. Edhe pse të dy trajnerët nuk kanë preferuar të thonë më qartë se çfarë ka ndodhur, burime pranë skuadrës bëjnë me dije se gjithçka lidhet me seancat stërvitore. Më parë trajneri Grabez, i ardhur pak kohë përpara se të niste kampionati për të stërvitur Vllazninë e vajzave, për të përforcuar lojën, ka marrë në stërvitje dy volejbollistë meshkuj të Vllaznisë. Në rastin e dytë, të mërkurën e javës së kaluar, trajnerja Goga nuk ka qenë dakord për një gjë të tillë dhe nuk ka lejuar që me vajzat të stërviten edhe meshkujt, qoftë edhe për të përforcuar ekipin e vajzave. (Pamorama Sport).