Sylvinho: Nëse Ismajli nuk rikuperohet, kemi lojtarë tjerë cilësor

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho në një konferencë për media ka folur për situatën e lëndimit të Ardian Ismajlit. Ende nuk dihet nëse Ismajli do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e radhës, mirëpo do të ketë lojtarë tjerë të gatshëm që do ta zëvendësojnë nëse nuk mund të rikuperohet.

“E kemi monitoruar Ismajlin, ai ka pësuar edhe një dëmtim tjetër gjatë një ndeshje me Interin së fundmi. Ne nuk jemi te Empoli që ta dimë saktë çfarë ka ndodhur, në flasim me klubin e mjekët, tani por presim për të gjitha vizitat dhe analizat që do të kryejë sot. Është lojtar i rëndësishëm, titullar i Shqipërisë, nëse nuk do ia dalë dot do e zëvendësojmë, pasi kemi lojtarë të tjerë që janë të gatshëm. Megjithatë me këtë listë që kemi bërë jemi gati dhe me kaq nuk kemi probleme”, ishin fjalët e trajnerit.

Po ashtu trajneri ka folur edhe për listen e lojtarëve që i grumbulloi për ndeshjet e tetorit.

“Ne kemi përpara një ndeshje dhe kemi grumbulluar 25 lojtarë, lista ka vetëm një ndryshim është lënë jashtë Roshi dhe është grumbulluar Broja. Më vjen mirë që të gjithë lojtarët luajnë e janë në formë të mirë me klubet e tyre, e që shënojnë, qoftë edhe lojtarët që nuk janë grumbulluar, ne i monitorojmë të gjithë. Nuk kam asnjë shqetësim për të ardhmen, tani mendojmë vetëm për Çekinë dhe të shkojmë në këtë sfidë me mentalitetin e duhur. Jam shumë i lumtur me lojtarët, kemi grup shumë cilësor dhe jam shumë i lumtur që kemi këta lojtarë në dispozicion”, u shpreh braziliani.

Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshje gjatë muajit tetor, me Republikën Çeke në “Air Albania” më 12 tetor, që është e vlefshme për kualifikueset Euro 2024 dhe më 17 tetor do përballet në një miqësore me Bullgarinë, e cila luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

“Ai ka potencial të jashtëzakonshëm” – Pochettino me fjalë të mëdha për Armando Brojën

Malisheva dhe Drita luajnë vetëm për fitore, formacionet zyrtare