Sylvinho me ndryshime në formacion ndaj Suedisë

 

Shqipëria ka mbyllur përgatitjet e fundit për ndeshjen me Suedinë. Kuqezinjtë zhvilluan seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Friends Arena” aty ku dhe do të luhet sfida miqësore, të hënën (19:00). Trajneri Sylvinho i kishte në dispozicion të gjithë lojtarët që ka grumbulluar, duke përfshirë edhe Etrit Berishën.

“Gardiani” i Empolit pritet që të vihet mes shtyllave, duke zëvendësuar Thomas Strakoshën, i cili luajti në takimin me Kilin. Ndryshime pritet që të ketë dhe në mbrojtje, me brazilianin që në sfidën e së hënës me gjasa do të aktivizojë Ivan Balliun në anën e djathtë.

Ndërkohë që në krahun tjetër konfirmohet titullar Mario Mitaj. Në qendër pritet që të rikthehet titullar pas një viti me Kombëtaren Marash Kumbulla, i cili do të formojë dyshen e qendrës bashkë me kapitenin Berat Gjimshiti.

Në mesfushë, Kristian Asllani dhe Ylber Ramadani do të formojnë “digën” para mbrojtjes, si në Parma. Më të avancuar pritet të jenë Arbër Hoxha nga e majta, Ernest Muçi në qendër dhe Arbnor Muçolli nga e djathta. Në majën e sulmit këtë herë do ta nisë si titullar Armando Broja.

Suedi-Shqipëri do të transmetohet live në SuperSport 2, prej orës 19:00 të së hënës.

Jo vetëm te Malisheva, Etnik Brruti po shkëlqen edhe te Kosova u-21

KV Prishtina shpallet kampione e Superligës B