Kombëtaret pjesëmarrëse në Euro 2024 do të mund të kenë në përbërje 26 lojtarë. Ndryshimi është miratuar në parim nga UEFA dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet pas kalimit në Komitetin Ekzekutiv të kësaj organizate.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se departamenti i ekipeve kombëtare në UEFA gjatë ditës së hënë ka rënë dakord për këtë ndryshim duke marrë parasysh kërkesën që i ishte bërë nga pjesa më e madhe e trajnerëve të përfaqësueseve të cilët morën pjesë në një takim në Zvicër në fillimin e këtij muaji.
Nuk dihet ende se si do të funksionojë sistemi me 26 lojtarë, nëse do të lejohen të gjithë në pankinë apo nëse do të jenë si zakonisht 23 të gatshëm për ndeshjen me 3 ekstra në tribunë. Njëkohësisht, nuk dihet edhe nëse shtimi i tre emrave mund të jetë “opsion” që mund të mos përdoret nga trajnerët, siç bëri Deshamp në Botërorin 2022.
Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, raportohet se ka qenë një nga emrat kundër këtij ndryshimi pasi mendonte se me një numër prej 23 lojtarësh mund të kryheshin stërvitje më optimale se sa me një grup të zgjeruar. Por opinioni i shumicës së trajnerëve ka bërë diferencën në fund dhe ai tashmë duhet të përshtatet me këtë ndryshim të rregullores. /panoramasport/