“Superliga e Shqipërisë, më e mirë se sa e Serbisë”

Mesfushori kosovar i Flamurtarit të Vlorës krahason kampionatin shqiptar me atë të Serbisë e Sllovenisë.

 

Lorik Maxhuni kërkon të qëndrojë sa më gjatë në Vlorë. Mesfushori kosovar i Flamurtarit tashmë është ambientuar me skuadrës kuqezi, ndërsa e vlerëson kampionatin shqiptar si ndër më të fortët në Ballkan, duke e krahasur me atë të Sllovenisë. 22-vjeçari vjen pas eksperiencës në Kroaci, ku nisi karrierën te grupmoshat e RNK Split e më pas kaloi te Lokomotiva e Zagrebit. Maxhuni është aktivizuar edhe në Austri me Grazer AK, ndërsa në Kosovë ka qenë pjesë e Drenicës, Ferizajt dhe Trepça ‘89. Në katër takime të luajtura deri më tani me fanellën kuqezi, ka shënuar një gol, ndërsa vetëm dy herë e ka nisur lojën si titullar. Dje, në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori që luan në të dyja krahët, por mund të përshtatet edhe në mbrojtje, tregon për eksperiencën e tij në Shqipëri me klubin e Flamurtarit.

Lorik, ndihesh i ambientuar tashmë tek Flamurtari?

PO, jam ambjentuar shpejtë me grupin dhe ndihem mjaft mirë. Falënderoj edhe stafin teknik për besimin që më ka dhënë, por gjithashtu edhe drejtuesit për mbështetjen e madhe.

Keni luajtur vetëm katër ndeshje në kampionat dhe dy në kupë deri më tani. Çfarë premtoni?

Unë premtoj se do të bëj maksimumin tim tek Flamurtari. Do të jap më të mirën, pse jo të shënoj sa më shumë gola. Është diçka e mirë që kam qenë titullar në takimet e fundit. Kjo tregon se kam fituar edhe besimin e drejtuesve. Unë jam i bindur se ky shans që më jepet, më motivon për të dhënë më tepër për këtë fanellë.

Sa dëshiron të qëndrosh tek Flamurtari?

Dua të qëndroj sa më gjatë këtu, sepse ky është një klub i madh. Mendoj se jam në një ekip që premton shumë dhe mbi të gjitha ndihem mirë si pjesë e Flamurtarit.

maxhunii

U bëtë afro dy muaj që jeni pjeë e skuadrës, si e vlerëson atmosferën tek Flamurtari?

Duke qenë se në ndeshjet e fundit keni fituar dhe këtë gjë e bëmë edhe në atë të radhës, atmosfera në ekip është shumë e mirë. Brenda grupit ka harmoni dhe humor. Jemi mjaft të bindur dhe të vendosur në arritjen e objektivave.

Përveç kampionatit kosovar, keni pasur eksperienca në Kroaci dhe Austri. Cila është përshtypja për Kategorinë Superiore?

Mendoj se kampionati shqiptar është shumë i fortë. Nëse jap një vlerësim, do të thosha se ky kampionat është ndër më të fortët në Ballkan. Këtu punohet dhe investohet shumë.

A mund të bësh një krahasim?

Nëse do ta krahasoja, do të thosha se kampionatin shqiptar i ngjan atij të Sllovenisë. Madje mund të them se ky kampionat është më i fortë edhe se ai serb. Në Serbi janë dy-tre ekipe që mund të veçosh si më të mirat, ndërsa këtu në Shqipëri ka disa.

Të shtunën do të luani kundër Laçit, si e prisni dhe çfarë dini për kundërshtarin?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Megjithatë, unë kam besim se do të fitojmë, me qëllim që të kënaqim sa më shumë tifozët. Laçi është një ekip i fortë, që ka bërë mirë deri tani.