Ballkani dhe Drenica ishin dy klubet që për gjatë vitit 2021 shkarkuan dy trajnerë, e që është shifra më e lartë që një klub i Superligës ndau rrugët me trajnerin.
Megjithatë, rrugën e skuadrave që shkarkuan shefin e shtabit teknik nuk e ndjekën Drita, Llapi e Dukagjini që vazhduan t’iu besojnë trajnerëve aktual duke hyrë edhe në vitin 2022 me të njëjtit emra në krye të stolit.
Zekirija Ramadani ndonëse e drejtoi “timonin” e Prishtinës në rrugëtimin për të sjellur titullin e kampionit në kryeqytet pas tetë vjetësh, ai u shkarkua edicionin tjetër, atë aktual, pas rezulteve jo të mira.
Demokracia.com ju sjellë më poshtë listën e klubeve dhe emrat e trajnerëve që u shkarkuan nga posti i shefit të shtabit teknik në klubet e Superligës së Kosovës.
BALLKANI – Shkarkoi Bledi Shkëmbin (6 Maj 2021) dhe Bekim Isufin (21 Dhjetor 2021)
Skuadra e Ballkanit që në vitet e fundit ka hyrë në mesin e atyre ekipeve të elitës që ndjekin rrugën e trofeve dhe daljes në Evropë.
“Portokallezinjtë” gjatë rrugëtimit të tyre shkarkuan dy trajnerë. Bledi Shkëmbi u shkarkua pak xhiro pa u mbyllur edicioni i kaluar pasi dështoi të shpallej kampion.
Vendin e tij e zuri edhe Bekim Isufi. Aventura e trajnerit gjilanas te suharekasit zgjati gjashtë muaj e disa ditë, ndonëse ai dhe Ballkani mbyllën stinorin vjeshtor dy pikë larg pozitës së parë.
DRENICA – Shkarkoi Bledar Devollin (17 Mars 2021) dhe Sami Sermaxhajn (7 Qershor 2021)
Dy trajnerë sa Ballkani ka shkarkuar edhe klubi i Drenicës.
“Kuqezinjtë” nga Skenderaj fillimisht shkarkuan nga posti i trajnerit, teknikun shqiptar, Bledar Devollin.
Më pas, drejtimin e mori edhe Sami Sermaxhaj të cilit i zgjati deri në qershor.
GJILANI – Shkarkoi Bylbyl Sokolin (12 Mars 2021)
Valës së shkarkimeve nga klubet e Superligës për gjatë vitit të kaluar nuk i shpëtoi as Bylbyl Sokoli.
“Profa” mori “timonin” e Gjilani në fillim të vitit të kaluar, ndërsa u shkarkua në mars për shkak të rezultateve jo të mira. Vendin e tij më pas e mori Ismet Munishi.
PRISHTINA – Shkarkoi Zekirija Ramadani (17 nëntor 2021)
Prishtina, kampionia në fuqi e Kosovës shkarkoi Zekirija Ramadanin, trajnerin që i solli titullin e kampionit pas plot tetë vjetësh në kryeqytet.
Shkarkimi i trajnerit shkupjan erdhi për shkak të rezultateve jo të mira dhe ngecjes prapa konkurentëve për titull këtë edicion në elitë.
Zëvendësimin e Ramadanit, Prishtina e gjeti në Bosnjë e Hercegovinë, duke e emëruar, Abdulah Ibrakoviqin.
FERONIKELI – Shkarkoi Klodian Duron (1 Maj 2021)
Feronikeli ishte klubi tjetër elitar që u nda me trajnerin në muajin e pestë të vitit 2021.
Trajneri shqiptar, Klodian Duro u shkarkua nga posti i trajnerit të “Industrialistëve”, ndërsa vendin e tij e zuri Faruk Elshani i cili vazhdon të jetë shef i shtabit teknik.
ULPIANA – Shkarkoi Fadil Ademin (Qershor)
Skuadra e promovuar këtë edicion në elitën e futbollit kosovar, Ulpiana bëri një ndryshim në shtabin teknik duke larguar Fadil Ademin.
Rrugëtimin në Superligën e Kosovës pas një dekade e vazhduan me Edlir Tetovën.
DRITA, LLAPI dhe DUKAGJINI – Nuk shkarkuan asnjë trajner
Shembullin e skuadrave që lexuat më lartë nuk e kanë ndjekur vetëm tri ekipe në Superligë për vitin 2021.
Drita, nënkampionia në fuqi e Kosovës punën vazhdon t’ia besojë shkupjanit, Ardian Nuhiut.
Trajneri që i mbijetoi më së shumti kësaj dukurie është Tahir Batatina që vazhdon ta udhëheq Llapin për vite me radhë.
Dukagjini, skuadra nga Klina që u inkuadrua këtë edicion në elitë postin e trajnerit ia besoi trajnerit dhe ish-futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë, Armend Dallkut.