Superliga e Kosovës në futsall për herë të parë me sponsor gjeneral

Shtëpia më e madhe e futbollit në vend ka bërë të ditur se Superliga e Kosovës në futsall do të ketë sponsor gjeneral, e që është kompania “Lirimi”. Kjo është hera e parë që ky sport ka një sponsor dhe nënkupton se emri i Superligës në futsall do të jetë “Lirimi Superliga”.

Postimi i plotë:

27 shtator, 2023 – Federata e Futbollit e Kosovës ka
nënshkruar sot kontratë me kompaninë “Lirimi”, e cila do të jetë sponsor gjeneral i Superligës së Kosovës në futsall. Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga presidenti i FFK-së Agim Ademi dhe pronari i kompanisë “Lirimi”, Lirim Thaçi dhe ajo është për periudhë njëvjeçare.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj kontrate presidenti Ademi u shpreh i lumtur që edhe futsalli si pjesë e rëndësishme e FFK-së po zhvillohet dhe interesimi për këtë sport po rritet gjithnjë e më shumë. I pari i FFK-së me këtë rast ka uruar të gjitha klubet dhe lojtarët e Superligës në futsall.

Edhe pronari i kompanisë “Lirimi Group” uroi klubet e Superligës në futsall dhe u shpreh i lumtur për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet kompanisë së tij dhe FFK-së.
Kjo marrëveshje vjen si rrjedhojë e punës së madhe që po bëhet në të gjitha drejtimet në futbollin kosovar, e ku hapa të rëndësishëm po bëhen edhe në futsall.

Për herë të parë në histori të këtij sporti, Superliga e Kosovës në futsall do të ketë sponsorin e vet dhe në bazë të marrëveshjes së arritur, emri i Superligës tash e tutje do të jetë “Lirimi Superliga”
Ky partneritet ndërmjet FFK-së dhe ”Lirimi Group” ndihmon klubet e Superligës në përmirësimin e kushteve të tyre.

 

Gjilani dhe Liria kërkojnë të rikthehen te fitoret, formacionet zyrtare

Zyrtare: Kombëtares së Kosovës i bashkohet edhe një talent i ri