Superliga e femrave në basketboll: Bashkimi fiton derbin

Në fundjavë u zhvillua xhiroja e 11-të në Superligën e Femrave.

Derbin e xhiros e ka fituar Bashkimi, që mundi Penzën 85:74 (26:22, 21:18, 16:20, 22:14). Kështu skuadra prizrenase ka vazhduar me ndeshje të mira, pasi në stinorin vjeshtor kishte nëntë fitore dhe një humbje.

Te Bashkimi u dalluan Aisha Balarabe me 24 pikë e 17 kërcime dhe Lejzae Davidson me 32 pikë, kurse te Penza u dalluan Gabrielle Cooper me 22 pikë e 11 kërcime dhe Tringa Ukaj me 16 pikë e nëntë kërcime.

Bashkimi ka dhjetë fitore dhe një humbje, kurse Penza pesë fitore dhe gjashtë humbje.

Prishtina ka shënuar fitore bindëse ndaj Trepçës në udhëtim 33:128 (14:25, 4:39, 5:29, 10:35), në kuadër të javës së 11-të në Superligën e Femrave.

Skuadra prishtinase dominoi nga fillimi deri në fund, duke shënuar fitore të merituar, që është e para në stinorin pranveror.

Te Trepça më e mira ishte Sihana Ramoja me 14 pikë e shtatë kërcime, kurse te Prishtina u dalluan Alexis Tolefree me 32 pikë për 20 minuta dhe Besjana Martinaj me 20 pikë.

Trepça ka një fitore dhe dhjetë humbje, kurse Prishtina shtatë fitore dhe katër humbje.

Fitore bindëse ka shënuar edhe Vëllaznimi, që ka mundur Kastriotin në udhëtim 52:102 (12:27, 15:27, 13:22, 12:26).

Te Kastrioti më e mira ishte Andria Iavarone me 30 pikë e 18 kërcime, kurse te Vëllaznimi u dallua dyshja e huaj Raven Baker me 48 pikë e shtatë asistime dhe Sarah Mgbeike me 30 pikë e 25 kërcime.

Kastrioti ka një fitore dhe dhjetë humbje, ndërsa Vëllaznimi nëntë fitore dhe dy humbje. /Gazeta Olle/