Fundjava sjell super ndeshje në elitën e basketbollit, ku zhvillohet xhiroja e 20-të e Prince Caffe Superligës dhe ku përballen katërshja me traditë në basketbollin e Kosovës.
Sfida e parë zhvillohet ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, ku pritet një super ndeshje dhe një superatmosferë në kryeqytetin e Kosovës. Prishtinasit janë në vendin e tretë me 13 fitore e gjashtë humbje, derisa pejanët kanë 14 fitore e pesë humbje, duke i ndarë vetëm një pikë mes tyre, e kjo do të bëjë edhe më interesante këtë përballje.
Në dy takimet e këtij edicioni, të dy skuadrat kanë nga një fitore ndaj njëra-tjetrës si mysafire. Pejanët triumfuan në Prishtinë 80:95, derisa kryeqytetasit në Pejë, 78:81.
Dita e shtunë vazhdon me super përballjen tjetër ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, ku të dy skuadrat hyjnë vetëm për fitore. Prizrenasit janë në vendin e gjashtë me shtatë fitore e 12 humbje, kurse mitrovicasit në vendin e parë me 17 fitore e dy humbje. Këtë edicion ‘Xehetarët’ kanë dy fitore ndaj Portokallezinjëve, 77:99 dhe 84:67.
Të dielën në Gjakovë do të ndeshen Istogu me Vëllaznimin, ku kuqezinjtë janë favoritë, pasi numërojnë tetë fitore e 11 humbje, derisa istogasit vetëm një fitore e 18 humbje.
Takimi i fundit i kësaj xhiro, por mjaft i rëndësishëm është mes Golden Eagle Yllit dhe Proton Cable Prizrenit. Therandasit janë në vendin e katërt me 11 fitore e tetë humbje, kurse prizrenasit në vendin e shtatë me pesë fitore e 14 humbje. /Gazeta Olle/
Prince Caffe Superliga-Java 20
E shtunë
17:00 Sigal Prishtina – Peja
19:00 Bashkimi – Trepça
E diel
17:00 Istogu – Vëllaznimi
19:00 Golden Eagle Ylli – Proton Cable Prizreni