Dy rivalët e përbetuar lokal do të sfidohen në kuadër të javës së 15-të kampionale në BKT Superligën e Kosovës në futboll.
Ndonëse në kushte aspak të mira, stadiumi i qytetit në Gjilan do të jetë arena e duelit të zjarrtë që pritet të sjellë spektakël në fushë dhe tribuna.
Në derbin e dytë të këtij edicioni, SC Gjilani është në epitetin e vendasit, gjë që e obligon të bëj organizimin e ndeshjes.
Demokracia.com nga burime pranë klubit “kuqebardhë” mëson se 30 për qind e kapacitetit të stadiumit do të jetë e lejueshme për tifozë.
1200 bileta do të jenë në dispozicion për tifozët që kanë fatin të përcjellin nga afër derbin gjilanas.
Siç mëson gazeta, numri i tifozëve të Dritës, të cilët janë në cilësinë e mysafirëve këtë sfidë, pritet të jetë shumë i limituar.
Derbi Gjilani – Drita luhet të mërkurën me fillim nga ora 13:00.
Kujtojmë se derbin e fundit të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e fituan të besuarit e trajnerit, Ismet Munishi me rezultat të pastër 0-2.