Sulmuesi kosovar i vetëofrohet Tiranës

Tirana është vënë në kërkim të një “pyke”. Synohet një lojtar që ka raport të mirë me golat, ndaj vetëm për të gjetur të duhurin bardheblutë janë gati që të bëjnë edhe sforco financiare.

Në fakt, kryeqytetasit edhe në verë nuk u kursyen, madje i dhanë Gilbertos aq sa edhe donte, por fundi rezultoi zhgënjyer.

Në të tilla kushte, këtë herë do të tentojnë që të shmangin përsëritjen e historisë. Përveç emrave të shumtë që janë sponsorizuar nga menaxherët, te Tirana nuk kanë munguar as vetofrimet. Në këtë listë, është edhe një sulmues Daut Kuqi i lindur dhe i rritur në Finlandë, por në fakt është me origjinë nga Kosova.

Ai është 25 vjeç dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur vetëm në kampionatin finlandez, në ligat inferiore. Së fundmi, ai është pjesë e një ekipi që quhet PK-35 Vanta, por duket se do që të ketë një përvojë në Superiore. Për këtë motiv, u është vetofruar kryeqytetasve, klubit 24 herë kampion të Shqipërisë.

Ai, në 8 ndeshje të zhvilluara gjatë sezonit të fundit, ka realizuar 1 gol. Sakaq, kushti që ka vendosur trajneri Ilir Daja në këtë merkato lidhet me DVD-të, teksa për mediat pat thënë:

“Do të kërkojmë nga çdo lojtar me të cilin do të kemi bisedime të na dërgojë një DVD 90-minutëshe e materiale filmike nga paraqitjet e bëra në fushën e lojës, që nga nëntori e deri në këto momente. Vetëm kështu mund të vlerësojmë formën e çdo elementi dhe cilësitë që mund të ketë pa pasur surpriza të pakëndshme”./Panorama-Sport