Sulmuesi i Prishtinës kalon dyshen e Besës!

Nuk është më Mark Milicaj e as bashkëlojtari i tij te Besa, Kastriot Rexha, në krye të renditjes së golëshënuesve më të mirë këtë edicion në Raiffeisen Superligë.

Me dygolëshin e realizuar sot, Labinot Osmani i Prishtinës ka kaluar të dy, duke u ngjitur në kuotën e 10 golave, një më shumë se sulmuesit e skuadrës pejane.

“E di që i kam bërë 10. Shpresoj të vazhdoj kështu, me lojëra të mira dhe me rëndësi është të fitojë ekipi”, deklaroi Osmani për Gazetaolle.com.

Golat e sotëm në fitoren 3:0 ndaj Trepçës ishin të parët në fanellën e Prishtinës, që prej se u transferua nga Kosova e Vushtrrisë.

Por, çfarë ndjenje është të shënosh me Prishtinën. “Normal që është një ndjenjë e mirë pas çdo goli. Kur të luash për Prishtinën dhe të shënosh për Prishtinën është ndjenja edhe më e mirë, sepse normal që dihet se është klubi më i mirë në Kosovë”, shtoi sulmuesi vushtrrias.

Osmani ua dedikon golat e parë familjes, klubit të tij dhe tifozëve të Prishtinës, Plisat. (Gazeta Olle)