COVID-19 nuk i ndahet Partizanit. Pasi humbi disa lojtarë për disa ndeshje të sezonit të kaluar futbollistë që u infektuan me COVID-19 si Çinari, Mala, Kote e Ferati.
Partizani ka sërish probleme me virusin famëkeq. Para derbit të kryeqytetit ndaj Tiranës që do të luhet të premten në Air Albania, sulmuesi xhamajkan Brian Brown i sapo rikthyer nga një dëmtim ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Për herë të fundit 27-vjeçari është aktivizuar në ndeshjen e raundit të 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë ndaj Apolonisë ku shënoi edhe golin e vetëm të fitores dhe të kualifikimit për Partizanin.
Prej disa ditësh Brown është në karantinë teksa deri tani nuk ka shfaqur shenja të virusit, ndërsa ka shmangur kontaktet me lojtarët e tjerë.
Deri tani në këtë edicion, trajneri Ilir Daja e ka aktivizuar vetëm në 2 ndeshjet e Kupës sulmuesin xhamajkan duke mos i dhënë minuta në kampionat, dhe mungesa e tij nuk do të ndihet shumë në derbin ndaj Tiranës.