Studimi i CIES: Gjimshiti ndër më të mirët në Itali

Observatori i futbollit, CIES, studimin e radhës e ka bazuar te vlerësimi i performancës së lojtarëve të futbollit, duke analizuar gjestet teknike, minutat në fushën e lojës si dhe nivelin e garave ku konkurrojnë me skuadrat e tyre.

Në këtë klasifikim të futbollistëve me më shumë se 1000 minuta në kampionatet respektive, në majë është Lionel Messi (indeksi 405 pikë), i ndjekur nga Neymar (381) dhe Robert Lewandowski (371).

Mbrojtësi i Manchester City-t, João Cancelo, (368) kryeson tabelën në Premier League-n angleze përpara Rodri Hernández, Kevin de Bruyne dhe Riyad Mahrez. Në pozitën e pestë është Jesse Lingard (West Ham, i huazuar nga Manchester United).

Lojtarët nga pesë skuadra të ndryshme janë në pesë pozicionet më të mira të renditjes në Serinë A: Lorenzo Insigne (Napoli), Achraf Hakimi (Inter), Cristiano Ronaldo (Juventus), Théo Hernández (Milan) dhe Domenico Berardi (Sassuolo).

Lojtarët më të rinj që kryesojnë në ligat e tyre janë 21-vjeçarët Noa Lang (Club Brugge) në Belgjikë dhe Fabio Parisi (Empoli) në Serinë B Italiane, si dhe 22-vjeçari Patson Daka (RB Salzburg) në Austri, Olimpiu Moruţan (FCSB) në Rumani dhe Denys Popov (Dinamo Kiev) në Ukrainë.

Interesant fakti që në vendin e tetë në renditjen e Serisë A me indeksin 322 (Insigne kryeson me 336) është Berat Gjimshiti, mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare që po spikat prej disa sezonesh tek Atalanta.