Stema e FIFA-s, gjyqtari i vitit, momentet komike në ndeshje dhe VAR-i: Dardan Çaka rrëfehet për vitin 2021

Arbitri nga Vushtrria, Dardan Çaka është shpallur “Gjyqtarit të Vitit 2021” në një ceremoni solemne ku është bërë ndarja e çmimeve nga Federata e Futbollit të Kosovës në muajin dhjetor.

Çaka ka qenë i deleguar nga Federata e Futbollit të Kosovës në shumicën e ndeshjeve derbi dhe nota e tij ka qenë më e mira prej të gjithë gjyqtarëve në këtë vit, andaj me shumë meritë ai u shpall, gjyqtari më i mirë i vitit në Kosovë, shkruan GazetaBlic Sport.

Në lidhje me çmimin, Çaka thotë se është një ndjenjë e veçantë edhe pse e kishte pritur, pasi ka punuar shumë për një gjë të tillë.

“Ka qenë një vit sfidues për të gjithë shkaku i pandemisë. Titulli si Gjyqtari i Vitit është ndjenjë e veçantë, por aspak e papritur, sepse kam besuar thellë se do të arrijë në këtë pikë që nga momenti i parë kur kam filluar referimin. Shumë punë e mund, duke u bazuar në pasion dhe integritet gjatë gjithë rrugëtimit”, tha fillimisht Dardan Çaka për ‘GazetaBlic Sport’.

Në stinorin 2021/22, futbolli kosovar, më saktësisht Superliga erdhi me një risi, pasi gjyqtarët tashmë ishin pajisur me sistemin “VAR”, sistem ky i sofistikuar për të evituar çdo lloj gabimi të personave që ndajnë drejtësi. Çaka potencon se ‘VAR’ ka ndikuar pozitivisht në futbollin vendor.

“VAR-i ka ndikuar shumë pozitivisht, është rritur ndjeshëm saktësia e vendimeve, kjo na bënë të ndjehemi mirë, sepse ne jemi të thirrur për drejtësi. VAR është një projekt shumë kompleks dhe i vështirë për t’u realizuar, dhe finalizimi është bërë për një kohë rekord, ka qenë angazhim i madh nga të gjithë ne dhe mendoj se është projekti më i madh i realizuar nga FFK e që duhet përgëzuar presidentin Agim Ademi sepse ai ishte këmbëngulës në ide dhe realizim. Infrastruktura ka shkaktuar probleme në disa ndeshje, kur fusha ka qenë e rënduar ngo moti i ligë dhe kemi hasur në vështirësi me kalibrimin e fushave në disa stadiume”, vazhdoi Çaka.

 

 

Normalisht se çdo gjyqtar që referon shumë ndeshje, ka edhe momenti qesharake dhe interesante në fushë. Momente të tilla ka pasur edhe Dardan Çaka, i cili për mediumin tonë i potencon dy prej tyre në dy ballafaqime të ndryshme.

“Në ndeshjen Ballkani – Malisheva jam rrëzuar në fushë nga mbrojtësi Rrustem Hoxha, në vrapim e sipër më ka goditur mbrapa në këmbë pa qëllim kuptohet (dhë në bisedë më kolegët në VAR, i‘u thash rishikojeni mos ishte e qëllimshme), kjo ishte veç batutë me relaksu situatën. Gjithashtu në ndeshjen Prishtina – Drita, Ardian Limani në një duel me Atanda u lëndua dhe kur u afrova më tha „e theva dorën“, ai e vazhdoi ndeshjën deri në fund dhe në mbrëmje e lexova në portale se e kishte thyer njëmend”, zbulon ai.

Një fakt interesant është se Dardan Çaka nuk është i pajisur me stemëm e FIFA’s dhe nuk do të merrë një gjë të tillë as në vitin e ardhshëm…

“Fatkeqësisht jo, por unë do të vazhdoj të punoj dhe dëshmoj vlerat e mija edhe më shumë, me shpresë se në vitin 2023 veç se përfundimisht t‘a kem stemën. Për fund i‘u uroj juve si portal festat e fundvitit, dhe gjithë opinionit sportdashës”, përfundoi Çaka.

Dardan Berisha lojtari më i mirë i stinorit vjeshtor në Superligë

Arjanit Fazlija, ylli që po shkëlqen te Kosova U-17