Pas një kohë të gjatë, N’Golo Kante u rikthye në fushën e lojës si titullar për Chelsean. Mesfushori francez hodhi pas krahëve dëmtimin e rëndë dhe në Stamford Bridge tregoi versionin e tij më të mirë.
Pas sfidës, Kante së bashku me Fofanan u vlersuan si dy lojtarët më të mirë. Francezi udhëhoqi skuadrën si kapiten përballë “të kuqve” dhe solli një dimension të ri në lojën e “Bluve të Londrës” që mungonte prej një kohë të gjatë.
Rikthimi i tij vjen në momentin e duhur për Chelsea, pasi Kante do të jetë një “armë” plus në dy sfidat vendimtar në çerekfinalet e Champions League përballë Realit të Madridit. Francezi do të ketë një punë të vështirë kundër lojtarëve si Luka Modric, Toni Kross dhe Eduardo Camavinga.
Megjithatë, shqetësimi më i madh në lidhje me Kanten mbetet kontrata e tij që skadon në fundin e sezonit. Bisedimet mes agjentit të lojtarit dhe drejtuesve të klubit kanë nisur prej kohësh, por “gjuha e përbashkët” ende nuk është gjetur, kjo edhe për situatën ku ndodhet klubi.
Këtë sezon, Kante ka regjistuar edhe një statistikë të çuditshme, pasi tre ndeshjet e fundit të tij në shtëpi me Chelsean kanë qenë nën drejtimin e tre trajnerëve të ndryshëm.
E para në derbin e Londrës përballë Tottenham, ku në krye ishte Thomas Tuchel, më pas me Aston Villën nën drejtimin e Graham Potter dhe e fundit në sfidën me Liverpool, Chelsean e drejtoi Bruno Saltor.