Statistika dhe histori interesante para sfidës Monaco-Arsenal

Monaco dhe Arsenal luajnë sot ndeshjen e kthimit të 1/16-ës së finales në Ligën e Kampionëve, në takimin ku vendësit synojnë ta konfirmojnë mrekullinë e nisur dy javë më herë në Londër ndërsa mysafirët ëndërrojnë përmbytjen spektakolare, transmeton Gazeta Olle.

Fitorja në “Emirates Stadium” me rezultat të pastër 3:1 i bën francezët favorit për kalimin tutje dhe një gjë të tillë e konfirmojnë edhe një sërë statistikash që janë në favor të Monacos.

Kjo skuadër është treguar e pathyeshme në shtëpi duke i fituar 75% të ndeshjeve të zhvilluara në stadiumin “Stade Louis” ndërsa më mirë se Monaco në këtë aspekt qëndron vetëm reali i Madridit me 76% të takimeve të fituara.

Fakt tjetër që e favorizon Monacon është mbrojtja e çeliktë, e cila ka pësuar vetëm dy gola në shtatë ndeshjet e zhvilluara në Champions League këtë edicion dhe asnjërin prej golave nuk e ka pësuar në shtëpi.

Shpresa e Arsenalit është te historia e sfidave kundër francezëve, me londinezët që nuk janë eliminuar kurrë nga klubet që vijnë nga ky vend.

Trajneri vendës Leonardo Jardim do t’i ketë në dispozicion të rikthyerit Toulalan, Carrasco dhe Kondogbia, ndërsa Arsene Wenger duhet t’i bëjë llogaritë pa Chamberlain, Wilshire dhe Rosicky.

E vërteta është se statistikat franceze nuk luajnë rol të madh në ndeshje si kjo, por dallimin s’e bën as historia angleze, prandaj bëhuni gati për spektaklin që fillon në ora 20:45. /Gazeta Olle