Starti i mirë i edicionit rrit “apetitin” e Malishevës, synohet një vend që dërgon në garat evropiane

Tri fitore, një barazim dhe një humbje. Ky është bilanci i skuadrës së Malishevës në edicionin debutues në Superligën e Kosovës në futboll.

 

Ekipi nga qytetëza e vogël e Kosovës po kalon formë të mirë në këtë fillim të edicionit në elitë dhe po konsiderohet si befasia e këndshme në pesë xhirot e para kampionale.

Malisheva qysh në javën e parë dha sinjale se do të jetë “arrë e fortë” edhe për “gjigantët” e futbollit kosovar, pasi ndali në barazim 1-1 Prishtinën kampione në shtëpi.

Jo shumë kohë nga kjo, futbollistët e drejtuar nga tekniku, Arsim Thaqi i dhanë leksion fituesit të Kupës dhe Superkupës së Kosovës, Llapit të cilën e mposhtën bindshëm 0-3 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu thotë se krejt kjo ecuri e mirë në fillim të kampionatit është për shkak të punës së mirë duke filluar nga kryesia e klubit deri tek lojtarët.

Çelësi i suksesit është puna e mirë që po bën kryesia e klubit, tifozët dhe stafi në krye me super trajnerin, Arsim Thaqin si dhe për faktin se kemi lojtarë shumë cilësor që po e dëshmojnë vetën çdo ndeshje”, u shpreh Kryeziu të hënën për Demokracia.com.

Duke parë rezultatet pozitive në xhirot e para të elitës së futbollit kosovar, natyrisht se “apetiti” i ekipit malishevas është shtuar.

Kryeziu thekson se Malisheva do të luftojë për top katërshen, e cila siguron një vend në garat evropiane.

Synimi është mesi i tabelës. Por, siç jemi duke u paraqitur pse jo edhe të jemi në top katërshe, sepse jemi duke e dëshmuar punën që kemi bërë”, nënvizoi ai.

Ndër lojtarët me përvojën më të madhe në futbollin kosovar te Malisheva është edhe Mërgim Pefqeli që iu bashkua “Rriqrave” afatin kalimtar të verës.

Sulmuesi kosovar vlerëson punën e trajnerit, Thaqi, ndërsa ka treguar njërën ndër arsyet që sipas tij ka sjellë ecurinë pozitive.

Ecuria pozitive e skuadrës tonë është besimi dhe respekti për njëri-tjetrin. Puna e shkëlqyer e trajnerit, Arsim Thaqit si dhe mbështetja e lojtarit të 12-të i quajtur “Tornado”, tha Pefqeli.

Jemi duke punuar shumë dhe me koncentrim maksimal. Jemi një grup i ri dhe lojë pas loje po mundohemi ta njohim njëri-tjetrin më shumë. Ne kemi besim në grupin që e kemi dhe do mundohemi të vazhdojmë me këtë ritëm që kemi filluar dhe të jemi befasia e këtij sezoni”, theksoi ish-sulmuesi i disa top skuadrave kosovare.

Malisheva javën e ardhshme do të luajë në shtëpi, derisa e pret një kundërshtar tejet të vështirë siç është Ballkani.

“Bardhekaltrit” ndodhen në pozitën e tretë me tetë pikë të tubuara, një më pak se Drita e Ballkani që ndajnë vendin e parë.

Kujtojmë se Malisheva është formuar si klub vetëm pesë vite më parë.

Në këtë televizion transmetohet ndeshja Kosovë – Norvegji

Kosovë – Norvegji, publikohen formacionet zyrtare