Stadiumi me bari sintetik, mallkim për lojtarët e dy ekipeve gjilanase

Mungesa e një stadiumi kryesor në Gjilan ka detyruar skuadrat si FC Drita dhe SC Gjilani të zhvillojnë ndeshjet e tyre në stadiumin ndihmës me bari sintetik, një fushë që po rezulton problematike për lojtarët e këtyre dy klubeve shkruan Radio Star.

Fusha sintetike po shfaqet si një faktor serioz i lëndimeve të rënda të lojtarëve, sidomos gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve. Lojtarët janë përballur me lëndime serioze, përfshirë këputjen e ligamenteve, çka po ndikon rëndë në karrierat e tyre dhe performancën e ekipeve.

Një ndër futbollistët e para ishte Ylli Shameti, ish-lojtari i SC Gjilanit, i cili, ndonëse erdhi me shumë bujë në futbollin kosovar, pësoi një dëmtim të rëndë të ligamentit, duke përfunduar sezonin pa mundur të japë kontributin e tij. Të njëjtin fat e ndanë edhe Shend Kelmendi dhe Betim Halimi, ndërsa futbollistët e rinj Bleon Abazi dhe Blend Krasniqi pësuan dëmtim të ligamentit lateral në të njëjtën fushë.

Problemet me këtë fushë nuk kanë kursyer as skuadrën e FC Dritës. Faton Maloku, portieri i ekipit, këputi ligamentet e gjurit, duke qëndruar jashtë fushës për një kohë të gjatë. Florian Smakiqi po ashtu pësoi një lëndim të rëndë të gjurit, ndërsa në sezonin e ri, Hasan Gomda dhe Ilir Mustafa u përballën me lëndime të ngjashme, duke lënë boshllëqe të mëdha në skuadrën e tyre.

Ndërhyrjet kirurgjikale për të riparuar këto dëmtime janë të kushtueshme për klubet, dhe humbja e lojtarëve të rëndësishëm po reflektohet në mungesa të mëdha brenda ekipeve.

Fusha me bari sintetik ka dëshmuar se nuk është një zgjidhje e përshtatshme për lojtarët profesionistë, duke bërë që lëndimet e tyre të rëndojnë jo vetëm në aspektin fizik, por edhe financiar për klubet e qytetit. /Radio Star/

Cristiano Ronaldo flet për herë të parë për Lamine Yamalin, ka disa fjalë të mëdha për yllin spanjoll

Lajmi i fundit: Ilir Mustafa humbet sezonin