Stadiumi ‘Loro Boriçi’ gati për Serbinë (VIDEO)

Shefi i investimeve të infrastrukturës sportive në FSHF, Arben Dervishaj, dhe i ngarkuari nga federata për ndjekjen e punimeve, tregon  për “Top Channel” se si do të ndryshojë stadiumi aktual me projektin e ri.

“Stadiumi “Loro Boriçi” do të kthehet në një stadium të kategorisë së katërt, në të cilin mund të luhen edhe ndeshje të Champions League. Tribuna ekzistuese do të prishet tërësisht, bashkë me dy anësoret dhe mbi të do të ndërtohet një tribunë, e cila do të ketë një kapacitet afërsisht 2550 vende. Përveç kësaj tribune do të ndërtohet edhe ajo anësore, e cila i mungon këtij stadiumi dhe do të ketë një kapacitet 2500 spektatorë. Gjithashtu do të ndërhyhet në rikonstruksionin e tribunave ekzistuese. Sipas llogaritjeve të projektuesit, kapaciteti i këtij stadiumi do të jetë 17500 spektatorë”, shprehet Dervishaj.

“Jemi një muaj me vonesë, por nëse do të punojmë minimumi me dy turne shpresojmë se mund ta kapim kohën. Më pas mbetet për t’u parë, nëse deri në atë kohë do ta përfundojmë të gjithin. Ndoshta ne mund të përfundojmë dy fazat e para, tribunën qendrore dhe tribunat ekzistuese, ndërsa nëse nuk kapim afatet për tribunat e tjera nuk do të na prishte punë, pasi kapaciteti do të jetë vetëm 2500 spektatorë më pak”, tha shefi i investimeve në FSHF, Arben Dervishaj.

Kësisoj, duke iu referuar fjalëve të shefit të punimeve në “Loro Boriçi”, stadiumi ashtu siç është premtuar, do të jetë i gatshëm për sfidën e radhës së Kombëtares sonë ndaj Serbisë, transmeton sportal.al.