Stadiumi kombëtar mes Gazimestanit e Bërnicës

Dhjetë anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kërkesës për aprovim të lokacionit për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës në Prishtinë, të mërkurën, kanë vizituar dy parcela si opsion për ndërtimin e shtëpisë së ardhshme të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, shkruan sot ‘Koha Ditore’.

Parcela e parë prej pesë hektarësh tokë që është vizituar ka qenë në Gazimestan, kurse ajo prej 25 hektarësh në Bërnicë. “Komisioni është i autorizuar të bëjë përcaktimin e lokacionit për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës dhe të bëjë një raport me shkrim dhe ta dorëzojë në MKRS dhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, thuhet në vendimin e MKRS-së.

Komisionin e formuar më 12 shkurt të këtij viti e përbëjnë zyrtarë të MKRS-së dhe të Departamentit të Sportit pranë kësaj ministrie, zyrtarë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të Kuvendit Komunal të Prishtinës.