Skandali i 2017-ës me votime, a do të kemi nesër një formacion të denjë nga trajnerët tanë?

“Alo, trajner më voto për futbollistin më të mirë”. Ironia therëse e Liridon Lecit, në fakt është realiteti i votimeve për 11-shen më të mirë të vitit në futbollin kosovar, nga ana e trajnerëve elitarë.

Përzgjedhja më e diskutuar ishte ajo e vitit 2017, ku votat e trajnerëve kishin irrituar tejmase opinionin futbollistik në vend, përcjellë Gazeta Olle.

Në mënyrë të pabesueshme, jashtë formacionit ishte lënë golashënuesi më i mirë i atij viti, Oto John, i cili ishte lojtari më i mirë në titullin kampion që e kishte fituar Trepça ’89 atë vit.

Besoni apo jo, John ishte futur në formacion nga vetëm një trajner, nga 12 të elitës sa ishin pjesë e votimeve, ani pse me 25 gola ishte golashënuesi më i mirë i 2017-ës.

Vetëm Bekim Isufi, që drejtonte Dritën, kishte përfshirë Johnin në formacionin e tij të vitit.

Trajnerët që nuk e futën golashënuesin e vitit në formacion ishin: Tahir Batatina (Llapi), Mirel Josa (Prishtina), Ramiz Dervishi (Feronikeli), Bledi Shkëmbi (Liria), Bekim Shotani (Drenica), Sabit Osmani (Trepca ’89), Arbnor Morina (Gjilani), Ismet Munishi (Vëllaznimi), Sahit Gashi (Besa), Gajur Rexhepi (Flamurtari) dhe Ilir Zuka (sekretar te Vllaznia, në mungesë të trajnerit).

Nesër do të shpallet formacioni më i mirë i vitit 2019 dhe mbetet të shihet nëse trajnerët elitarë do të votojnë kësaj radhe në bazë të meritave, apo në mënyrën e zakonshme.

John e kishte konsideruar të turpshëm vendimin e trajnerëve për ta lënë jashtë formacionit.

Top-golashënuesi i 89-shit, që mbetet një ndër sulmuesit më të mirë që kanë luajtur në vend viteve të fundit, kishte deklaruar që nuk e kupton fare se si nuk është në 11-she.

“Golashënuesi më i mirë duhet të jetë në atë ekip. Por trajnerët kanë arsyet e tyre pse kanë votuar kështu”, kishte thënë John.

“Megjithatë kjo nuk është detyra ime, ajo është të luaj futboll. Golat e mi flasin vetë. Kam vënë një rekord dhe emri im do të mbetet gjithmonë në histori”, ishte shprehur ai.

Më pas, John u rikthye te Skënderbeu, pjesë e të cilës skuadër është ende.

Një javë më parë, me votimet e trajnerëve kishte ironizuar futbollisti i Dritës, Liridon Leci.

Përmes një postimi në Facebook, ai kishte treguar se si në fakt bëhen votimet.

“Alo, trajner më voto sepse unë e meritoj për lojtarin më të mirë, por po ma hanë hakun”, shkroi Leci.

Formacioni për 11-shen më të mirë do të publikohet nesër në ceremoninë e FFK-së. /Gazeta Olle/