Sportisti milioner, por i çuditshëm

Daniel Norris është një lojtar profesionist bejsbolli në Major League. Edhe pse ai, ashtu si shumë kolegë të tjerë, arkëton miliona dollarë çdo vit nga kontrata që ka me Toronto Blue Jays, ka zgjedhur një stil të thjeshtë jetese, ndoshta disi më të thjeshtë duke kaluar limitet e imagjinatës.

Norris e nënshkroi kontratën me klubin kanadez në vitin 2011 por firma e hedhur në fletën e bardhë duket se nuk ia ka ndryshuar aspak jetën jashtë fushës. Historia e tij po bën xhiron e botës pasi Norris, edhe pse milioner, ka zgjedhur të jetojë në një rulo të thjeshtë dhe me mjetet bazë të jetesës të cilën e quan “Shaggy”.

Një zgjedhje që ai e ka bërë vetë. Daniel ka në pronësi të tij vetëm një garazh në Tennessee dhe fugonin në të cilin fle, ha dhe me të cilin i bie vendit cep më cep. “Ndihem disi i çuditshëm në vetvete por kur u bëra i famshëm dëshira e vetme që kisha ishte të bleja këtë rulo”, shprehet djaloshi që bëri debutimin në ligën profesioniste rreth 4 vjet më parë.

Ai rrëfen gjithashtu se pjesën më të madhe të ditës e kalon në ajër të pastër duke sqaruar: “Një gjë të tillë e bëj sepse dua të gjej paqen shpirtërore”. Në këndvështrimin e sportistit milioner, shoqëria e tepërt është e panevojshme, por ai thekson se kjo nuk e pengon të jetë i lidhur ngushtë me familjen dhe miqtë e tij të ngushtë. “Jam një mendimtar dhe më pëlqen të qëndoj i vetëm me mendimet e mija”, e përfundon intervistën Norris.